Deputetët e pushtetit e bëjnë atë që “dinë më mirë”, sulmojnë BE-në pas reagimit për bllokadat në pikat kufitare nga Serbia

Deputetët e pushtetit e bëjnë atë që “dinë më mirë”, sulmojnë BE-në pas reagimit për bllokadat në pikat kufitare nga Serbia

Persona të maskuar në Serbi vendosën barrikada në pikëkalimet kufitare me Kosovën duke ia penguar selektivisht lirinë e lëvizjes vetëm qytetarëve të etnisë shqiptare. Këto veprime që fillimisht u paralajmëruan nga disa persona që u prezantuan si organizata joqeveritare nisën të premten e përfunduan të shtunën. Në Kosovë pati ankesa për mosreagim nga ana e Bashkimit Europian, megjithatë Unioni reagoi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se nuk është as tubim paqësor e as e drejtë demokratike që persona të maskuar të frikësojnë udhëtarët, ndërsa ia ka kujtuar Serbisë përgjegjësinë e marrëveshjeve të dialogut për lirinë e lëvizjes.

“Liria e tubimit paqësor, duke respektuar ligjin, është absolutisht thelbësore në çdo demokraci. Megjithatë, personat e maskuar në Serbi, pranë pikave të përbashkëta të kalimit, që bllokojnë trafikun që vjen nga Kosova dhe frikësojnë udhëtarët, nuk bëjnë pjesë në këtë kategori. Marrëveshja e dialogut e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes përcakton qartë parimin e udhëtimit të lirë brenda ose përmes territorit të palës tjetër. Është përgjegjësi e secilës palë që t’i zbatojë ato dispozita në territorin e saj, në këtë rast Serbisë”, ka thënë Stano.

Menjëherë pas deklaratës, Adnan Rrustemi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka përtuar dhe ka reaguar ashpër ndaj zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Petar Stano.

Sipas Rrustemit, zëdhënësi i BE-së është kundër veprimeve për shtrirje të sovranitetit të Kosovës dhe luftimit të krimit në veri.

Madje, ai ka thënë se Stanos i mungon zëri kundër Serbisë. Ai ka vazhduar duke folur edhe për emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se “as një vend neutral si Zvicra nuk e do ambasador”.

“3 ditë presion për një reagim nga BE, dhe vetëm diku pas rreth 72 ore, Peter Stano hapë gojen në një përgjigje ndaj pyetjes së Gazetës Express. Ai për cënimin e lirisë së lëvizjes nga ana e Serbisë, prej personave të maskuar, e drejtë kjo e garantuar me Konvetën për të Drejtat e Njeriut të Kombëve të Bashkuara, fillimisht tha: “Liria e tubimit paqësor, duke respektuar ligjin, është absolutisht thelbësore në çdo demokraci.”, pastaj shtoi: “Megjithatë, personat e maskuar në Serbi, pranë pikave të përbashkëta të kalimit, që bllokojnë trafikun që vjen nga Kosova dhe frikësojnë udhëtarët, nuk bëjnë pjesë në këtë kategori.”!!!”.

“E kemi pa jo rrallëherë, zëdhënësin e BE-së duke reaguar ashpër kundër veprimeve për shtrirje të sovranitetit dhe luftimin e krimit në veri të Kosovës. Por, atij i mungon zëri kundër Serbisë. Fundja, vet Lajçak, sa ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, në Beograd pati thënë që “Jam këtu për të garatuar se Sllovakia kurrë nuk do ta njeh Pavarësinë e Kosovës”. Pas dështimit në dialog dhe njëanshmërisë aspak diplomatike, duket që edhe një shtet neutral si Zvicra nuk e do për ambasador”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.

Edhe deputeti tjetër i pushtetit, Mefail Bajqinvoci reagoi jo fortë mirë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se BE-ja krejt çka thotë për bllokimin e kufijtë nga banditë të maskuar nga Serbia është se ka qenë i paligjshëm.

Ai ka shtuar se kështu i ka quajtur edhe mbylljen e strukturave ilegale serbe në Kosovë nga Policia, derisa Kosovën BE e kërcënonte me masa të reja.

Bajqinovci ka thënë se kjo është qasje e pabarabartë.

“Serbia bllokon kufijtë me bandita të maskuar me lejen e shtetit, ndërsa BE-ja krejt çka thotë është se bllokimi na paska qenë i paligjshme. Nuk ka asnjë konsekuencë për palën serbe. Mbyll kufijtë, sulmon me paramilitarë-terroristë një shtet tjetër dhe masat mungojnë.

Të jashtëligjshme janë edhe strukturat ilegale serbe në Kosovë, por kur Policia i mbylli ato, BE-ja e kërcënonte Kosovën me masat të reja. Kjo haptazi është qasje e pabarabartë”, u shpreh Bajqinovci.

Pikëkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë iu kthyen normalitetit pasi personat e maskuar në Serbi hoqën barrikadat. Edhe Kosova liroi pikat që i mbylli në përgjigje të selektimit racist nga ana e serbëve protestues.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të shtunën pasdite doli me një lajmërim, ndërsa tha se duan rend e ligj në çdo cep të vendit.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kishte thënë se Policia e Serbisë u bë bashkëfajtore me personat e maskuar meqë derisa ata bënin selektimin se kush të kalojë, policia nuk kishte ndërhyrë.

“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet”, kishte shkruar Gërvalla të premten.

Organizatorët e bllokadave thanë të premten se duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Ata thanë se ndërmorën këto veprime si përgjigje e mbylljes së pesë komunave paralele të Serbisë në komunat veriore.

Disa prej tyre kanë paralajmëruar se do të presin deri në fund të këtij muaji të shohin nëse këto kërkesa do të plotësohen nga Kosova në të kundërtën do të ketë bllokadë të re kufitare./Periskopi

Bllokadat e personave të maskuar serbë, reagon Stano

Shpërndaje në: