Kosova shkëlqen, shënon fitoren e parë në Ligën e Kombeve – e “shkatërron” Qipron
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është këndellur pas humbjes turpëruese nga Rumania në “Fadil Vokrri”. “Dardanët” mposhtën me rezultat të thellë Qipron, duke marrë kështu fitoren e parë në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
Kosova shënoi fitore me rezultat 4:0, me dy golat e Muriqit (‘9, ’21), Rrahmanit (’48) e Dellovës (’55).
Verdhë e kaltrit e nisën furishëm takimin me depërtimet e Donat Rrudhanit, i cili arriti të fitoi penallti në minutën e tetë të takimit, e që me gol e konkretizoi sulmuesi Vedat Muriqi.
Rrudhani ishte protagonist i golit edhe në shënimin e dytë të Muriqit, duke harkuar topin në zonë.
Kosova shkoi në pushim mes pjesëve me epërsi të dyfishuar, ndërsa avazi i njëjtë vazhdoi edhe në 45 minutat e dytë të takimit.
Albion Rrahmani e filloi pjesën e dytë si zëvendësim i Muriqit, ku për gol iu nevojiten vetëm tre minuta lojë.
Për Rrahmanin ky ishte goli i parë me fanellën e Kosovës, e “sefte” po ashtu me fanellën e Kosovës ia bëri edhe qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova.
Dellova shënoi golin e katërt të Kosovës pas asistimit të Rrudhanit, duke shënuar një gol me klas.
Për Kosovën kjo ishte fitorja e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Pas dy ndeshjeve, Kosova ka tri pikë në Grupin C2 të Ligës C të Ligës së Kombeve.