‘Mospajtimet me Gjermaninë për CEFTA’ – Gërxhaliu: Kosova në moment të volitshëm për armiqtë e saj

‘Mospajtimet me Gjermaninë për CEFTA’ – Gërxhaliu: Kosova në moment të volitshëm për armiqtë e saj

Paralajmërimi i Gjermanisë që Kosova mund të mbesë jashtë marrëveshjeve rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit, nëse nuk i heq masat e sigurisë ndaj produkteve serbe, po shihet me shqetësim nga ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë për Ekonomia Online se Kosova nuk e ka komoditetin dhe luksin që të jetojë pa mbështetje të miqve dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë. Andaj, kërkon që çdo veprim institucional të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

“Viteve të fundit ka pas vizita të shumta te deputetëve dhe burrështetasve të ndryshëm evropian dhe botërorë në Kosovë. Besoj në momentumin aktual i cili gjindet Kosova, intervistat dhe rekomandimet e zotëri Sarazin si i dërguar i veçantë i qeverisë gjermane dhe është një intervistë mjaftë reale dhe shqetësuese me mesazhe të cilat duhet t’i kuptojnë politikanët kosovarë në atë se ku ndodhet Kosova sot, guximi i politikës apo i qeverisë aktuale kosovare që çdo gjë të thotë jo dhe të kundërshtojë, çdo rekomandim që vjen nga miqtë ndërkombëtarë është diçka që duhet të merret parasysh sepse Kosova nuk e ka komoditetin dhe luksin që të jetojë pa mbështetje të miqve dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë”, ka thënë Gërxhaliu.

Profesori i ekonomisë thekson se Kosova mund të humbasë shumë nëse paralajmërime të tilla mund të bëhen realitet. Ai ka thënë se “largimi” i Kosovës nuk e dëmton CEFTA-n por e kundërta.

“Jemi duke humbur miqtë dhe mbështetës dhe sot nuk kemi të bëjmë vetëm me pesë shtete evropiane të cilat nuk e kanë pranu Kosovën, por edhe diplomatë të ndryshëm të SHBA por kjo arrogancë e pushtetit përballë tyre është duke e ngulfate ardhmërinë dhe perspektivën e Kosovës. Evropa do të vazhdojë rrugëtimin e saj qoftë me CEFTA apo me Procesin e Berlinit, por ku do të mbetet Kosova dhe pse Kosova izolohet vetvetiu. Formulat e rekomanduara që mund të pasojnë falë politikës refuzuese të Kosovës, qoftë 6-1 apo forcimi i Ballkanit të Hapur edhe të anashkalohet Kosova në këto procese është dëmi më i madh që mundë t’i kushtojë Kosovës, bizneseve dhe politikës së saj dhe në veçanti qytetarëve, por nuk do ta dëmtojë as procesin e Berlinit as CEFTA-n dhe as politikën evropiane”, u shpreh Gërxhaliu.

Në një intervistë javën që shkoi, Sarrazin ka thënë se Gjermania do t’i shtyjë përpara marrëveshjet e Procesit të Berlinit edhe pa Kosovën. Për këtë, Gërxhaliu ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti duhet ta ketë parasysh se pa “miq nuk ndërtohet dhe nuk mbahet shteti”.

“Nuk është Kosova në momentum që të dirigjojë politikat evropiane dhe t’i mësojë politikanët se si duhet të sillen në Ballkanin perëndimore dhe në Kosovë. Vetë fakti që në qeverinë aktuale ka këshilltarë të tillë që nuk e kuptojnë esencën e diplomacisë që në diplomaci moderne nuk do të thotë që gjithmonë ke të drejtë edhe atëherë kur ke të drejtë, andaj kompromisi, përafrim, fleksibiliteti janë virtyte të cilat duhet t’i ketë parasysh Qeveria e Kosovës sepse pa miqtë nuk ndërtohet dhe nuk mbahet shteti. Në këtë drejtim është koha kur duhet të ulemi në tokë të analizojmë atë se ku jemi sepse nuk mund të jetë gjithmonë dikush tjetër fajtorë, për dështimet të cilat po e përcjellin Kosovën, por Kosova sot është në momentin më të volitshëm për armiqtë e saj por jo në interes të perspektivës dhe të qytetarëve të saj”, u shpreh ai.

Shpërndaje në: