Vjosa Osmani mbron tezaken që u bë jashtligjshëm shefe e administratës në Ministrinë e Pecit
Presidentja Vjosa Osmani gjatë intervistës së mbrëmshme foli edhe rreth hulumtimit të Periskopit, në lidhje me avancimin e jashtligjshëm të tezakës së saj, Venera Çerkini në Ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci.
Në pyetjen “çika e tezës dhe vëllai yt u punësuan, vëllai mbikëqyrës i lartë në BQK, çika e tezës t’u bë drejtoreshë e Agjencisië për Zhvillimin e Bujqësisë, Venera Çerkini”, Osmani deklaroi se ajo vetëm është “transferuar”.
“Çika e tezës ka punu në institucione publike 17 vite para se unë të bëhem presidente. 17 vite, dhe ka pas pozicion ekuivalent në Qeverinë e Republikës së Kosovës, atëherë kur doli u punësua- nuk ka pas punësim. Ka pas transfer nga një pozicion në tjetrin të barasvlefshëm…17 vite përvojë.”, tha Osmani.
Periskopi tutje ju shpjegon se si me hapa shumë të shpejtë, çika e tezës së Presidentes Vjosa Osmani, arriti të bëhet shefe e krejt administratës në MBPZHR.
Venera Çerkini fillimisht kishte punuar si Drejtore e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ajo ishte emëruar në pozitën e drejtores në Drejtorinë për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB). Tutje, ajo kishte marrë një tjetër pozitë të rëndësishme në këtë institucion. Meqë, Kryeshef ekzekutiv në AZhB nuk kishte, Çerkini u vendos si zëvendësuese e Kryeshefit Ekzekutiv në këtë agjenci nga data 11 gusht e 2021-ës.
Nga intervista me gojë dhe me shkrim, Çerkini ka marrë gjithsej 76.76 pikë, ndërsa kandidati i dytë i eliminuar ka marrë 76.26 pikë. I treti 75. 73 pikë.
Siç shihet nga grumbillimi i pikëve të dy kandidatët kanë dal më të mirë në intervistën me shkrim, ndërsa Çerkini është vlerësuar më shumë me gojë. Dihet se intervista me shkrim mbetet dëshmi e dokumentuar, ndërsa me gojë jo.
Pra dallimi i pikëve i të parit me të dytin, është aq milimetrik.
Ky ka qenë konkursi i dytë për këtë pozitë, pasi që siç raportonte Periskopi, i pari ishte anuluar për shkak se Çerkini nuk i kishte plotësuar siç duhet të gjitha dokumentet.
Për të vazhduar tutje, më 08.09.2023, Ministri Peci mori vendim që tezaken e Presidentes Osmani, ta emëroj shefe të krejt administratës në MBPZHR-së.
“E caktuara, detyrën e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e ushtron nga data 8.9.2023 me të gjitha të drejtat dhe detyrat e përcaktuara në nenin 18 të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura dhe legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhej në vendim.
Pa u bërë një vit i plotë, Çerkini nga data 12.04.2024 edhe zyrtarisht është emëruar Sekretare e Përgjithshme në MBPZHR.
Në hulumtimin e bërë nga Periskopi, del që ky transfer i Çerkinit u bë duke mos respektuar procedurat ligjore, madje edhe duke e keqinterpretuar Ligjin Nr.08/L-197 për Zyrtarë Publik – neni 65.
Periskopi ka dërguar pyetje drejt MBPZHR-së duke pyetur nëse është hapur konkurs i brendshëm para emërimit të znj. Çerkini në këtë pozitë ose në çfarë mënyre është bërë transferimi i saj në pozitën “Sekretare e Përgjithshme”.
Të njëjtit janë përgjigjur duke iu referuar pikërisht Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarë Publik – neni 65.
“Në lidhje me çështjen e transferimit të znj. Çerkini nga pozita e Drejtoreshës Ekzekutive në AZhB në atë të Sekretares së Përgjithshme në MBPZhR, po ju japim një përmbledhje me procedurat ligjore që përfshihen në këtë proces, të cilat janë konfirmuar dhe konsultuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MBP), institucion përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Zyrtarët Publik dhe akteve nënligjore për shkërbimin civil në Kosovë.
Ligji Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë (LZP), në nenin 65 ka përcaktuar procedurën e transferimit të përhershëm për interes të institucionit. Paragrafi 1 i këtij neni përcakton se “Nëpunësja/i civil mund të transferohet për interes të institucionit në mënyrë të përhershme në vend tjetër të punës për ushtrimin e funksioneve të njëjta ose të ndryshme, në të njëjtën kategori të shërbimit civil. Për rastet kur nëpunësja/i civil është e nivelit drejtues të ulët, mesëm apo të lartë, transferimi sipas këtij neni bëhet për periudhën e mbetur të mandatit për të cilin është emëruar.” Pra, ky paragraf në mënyrë shprehimore përcakton edhe mundësinë e transferimit të përhershëm për interes të institucionit edhe të nëpunësit të nivelit të lartë drejtues.
Paragrafi 5 i nenit 66 të LZP-së dhe paragrafi 5 i nenit 11 të Rregullores (QRK) Nr. 02/2024 për Transferimin e Nëpunësve Civil, përcakton se transferimi i nëpunësit civil në një institucion tjetër të shërbimit civil, bëhet në pajtim me pëlqimin e nëpunësit dhe me marrëveshje në mes të institucioneve. Në rastin konkret, duke qenë se transferimi bëhet nga entitete brenda të njëjtit institucion, pra nga Agjencia në Ministri, dhe duke qenë se bëhet fjalë për nëpunësin e lartë drejtues, që në rast të transferimeve të kategorive tjera do të nxirrte vendimin e transferit, DMZP ka rekomanduar që transferi të bëhet me vendim të titullarit të institucionit në këtë rast të Ministrit të MBPZHR, duke marrë parasysh pozitën e ministrit si mbikëqyrës i drejtpërdrejtë të nëpunësit të kategorisë së lartë drejtuese, siç edhe përcaktohet me nenin 4 paragrafi 1.8.1. të LZP-së”, thuhet në përgjigjen e MBPZHR-së për Periskopin.
Megjithatë, nga MBPZHR-ja nuk përmendin askund pikën 7 të këtij Ligji ku thotë se;
“7. Qeveria me akt nënligjor, me propozim të ministrisë përgjegjëse për administratë publike miraton rregullat për zbatimin e këtij neni”, që do të thotë se Ministria duhet bërë paraprakisht një propozim tek Qeveria për t’u miratuar ky vendim.
Një gjë e tillë, nuk ndodhi. Këtë e dëshmon edhe vetë Qeveria se emërimin e Venera Çerkinit në pozitën “Sekretare e Përgjithshme” nuk e njeh.
Si u mësua se Qeveria nuk është në dijeni për vendimin e Pecit për ta emëruar tezaken e Vjosa Osmanit shefe të krejt administratës?
Periskopi ka siguruar gjatë ditës së djeshme një vendim të Qeverisë për themelimin e një Komisioni për Pranimin për Kategorinë e Lartë Drejtuese për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Këtu mësohet shkelja e parë e Pecit në emërimin e znj Çerkini.
Peci, nuk ka dërguar në Qeveri një propozim, siç bëri MPJ-ja, por “krye n’veti” ka marrë vendim për të bërë transfer të përhershëm të tezakës së Vjosës në pozitën “Sekretare e Përgjithshme”.
Për këtë, Periskopi gjithashtu ka dërguar pyetje drejt Qeverisë, të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Në përbërje të Komisionit të lartpërmendur figuron emri i Venera Çerkinit. Këtu, Qeveria të njëjtës iu referohet ende me titullin “U.D” (shih dok. më poshtë).
Pra, Qeveria pavarësisht se kanë kaluar 15 ditë nga vendimi i Pecit për ta emëruar si “Sekretare e Përgjithshme” znj. Çerkini, ata nuk janë në dijeni për këtë. Kjo bie ndesh me Ligjin e lartcekur. /PERISKOPI/