Sot do ta përuroj shtatoren e tij, por Kurti më 2002 deklaronte: Rugova ishte kundër UÇK-së sepse ideja e tij ishte të bllokonte çdo lëvizje çlirimtare (Video)
Sot në Komunën e Podujevës do të përurohet shtatorja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Përveç zyrtarëve komunalë dhe bashkëpunëtorëve të ish-presidentit, në ceremoni do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit, deri vonë ishte prej kritikeve më të mëdhenj të Rugovës. Periskopi në vazhdim do iu sjell disa nga deklaratat e Albin Kurtit ndër vite për ish-presidentin Ibrahim Rugova…
Më 18 shkurt 2002, në një intervistë për tv Vali e cila gjendet në YouTube, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaronte se Ibrahim Rugova “ka qenë kundër UÇK-së” sepse ideja e tij ka qenë ‘të pengojë çfarëdo dinamizimi të çfarëdo lëvizjeje çlirimtare’.
Në minutën 1:06:40 të videos së mëposhte, gazetari pyet Kurtin, duke ia transmetuar në fakt një pyetje të shikuesve, se pse Ibrahim Rugova nuk e ka pranuar UÇK-në si ushtri, ndërkohë që përgjigja e Kurtit është kjo:
“Pse ai nuk e ka pranuar, mendoj se nga vetë sjellja e Rugovës në vitet e 90-ta të ishte shumë e qartë pse nuk ka pranuar. Dhe do të ishte shumë ma interesante pyetja pse nuk e ka pranuar sikur ta pranonte. Nuk ka qenë fare e çuditshme pse nuk e ka pranuar. Ne e dimë politikën dhe sjelljen e Rugovës, ideja e Rugovës ka qenë të pengojë dhe të bllokojë çfarëdo dimanizimi të jetës dhe çfarëdo lëvizje çlirimtare dhe rezistencës aktive”, deklaronte Kurti më 2002.
Ndërkohë, në një deklaratë të mëvonshme, mes shumë deklaratave të tjera, në emisionin Click të RTV 21, Kurti kishte goditur Isa Mustafën përmes një deklarate, duke thënë se ‘ai shkonte vetëm te varri’ ndërkohë që për veten, pra Kurti, deklaronte se ‘Rugovën e kishte takuar edhe sa ishte gjallë’.
“Po është e vërtetë që unë nuk kam shku te varri i Rugovës, po është poashtu e vërtetë që unë e kam takuar atë sa ka qenë gjallë ndërkohë që kryetari aktual i LDK-së shkon veç te varri i Rugovës. Se ka disa njerëz që vijnë vec te varri. Ai ka qenë për një rezistencë paqësore për bindjen time passive, dhe unë kam qenë për rezistencë active me protesta e demonstrata”, deklaronte Kurti, përcjell Periskopi.
Përveç kryeministrit Kurti, në ceremoni do të marrë pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani.
Vlen të theksohet se në kohën kur Osmani ishte ende pjesë e LDK-së, ka pasur edhe deklarata rreth mungesës së vizitës së Albin Kurtit te varri i ish-Presidentit Rugova.
Ajo në një deklaratë dhënë në Rubikon të KTV-së, pati deklaruar se “Kurti duhet ta ndiejë për ta bërë një gjë të tillë”.
“Kjo është çështje që duhet ta ndiesh. Për mua është me rëndësi që edhe zoti Kurti edhe çdo politikan, ashtu siç e dinë qytetarët, ta dinë politikanët që presidenti Rugova ishte arkitekt i shtetit të pavarur”, kishte deklaruar Osmani.
“S’shoh arsye që dikush të mos nderojë presidentin Rugova. Nëse nuk e nderon Rugovën nuk e nderon shtetin e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, Kurti për herë të parë ka bërë homazhe te varri presidentit historik, Ibrahim Rugova, në 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Qasja e tij ndërroi me ardhjen në pushtet.
Kurti teksa kishte bërë homazhe, vlerësoi lartë kontributin e presidentit Rugova për shtetin e Kosovës.
“Si kryeminsitër i Kosovës, sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12-të të shpalljes së pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova. Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjen instituese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U prehtë i qetë e në paqe”, kishte deklaruar Kurti. /Periskopi/