Ulutas e Fidan diskutojnë mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë
Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka takuar të premten ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidanin, në Shtabin e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë.
Siç theksohet në një komunikatë për media të publikuar në platformën sociale, X, Ulutas e Fidan kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë, duke përfshirë aktivitetin e KFOR-it.
“Ulutas ka theksuar kontributin e gjatë të Turqisë për KFOR-in dhe stabilitetin rajonal”, potencohet në komunikatë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, në një konferencë për media së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të premten tha se organizata terroriste FETO e udhëhequr nga Fethullah Gyleni – një prijës fetar, ish-aleat i Recep Tayyip Erdogan-it – e cila nga autoritete turke konsiderohet se qëndron prapa puçit të dështuar ndaj shtetit më 15 korrik të vitit 2016, “është kërcënim si për Kosovën ashtu edhe për Turqinë”, andaj e njëjta “duhet luftuar bashkërisht në mënyrë konkrete”
Megjithatë, Fidan – ish udhëheqësi i inteligjencës turke (MIT) – gjatë konferencës u shpreh i zhgënjyer me përpjekjet e Kosovës për të luftuar këtë organizatë terroriste.
“Ne gjithashtu diskutuam edhe çështjen luftimin e terrorizmit, folëm për hapat që duhet të ndërmerren kundër organizatës terroriste, FETO, për fat të keq prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne”, tha ai.
Duke folur për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Fidan tha se Turqia e mbështet këtë proces duke e vlerësuar si “rrugën e vetme” që çon në marrëdhënie të normalizuar në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne besojmë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog”, tha Fidan.
Fidan ndër të tjera potencoi se Turqia mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës si në trajnime të personelit ashtu edhe me armatime.
“Ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe në të ardhmen”, pohoi ai.
Kryediplomati turk gjithashtu tha se Turqia e ka mbështetur dhe mbështet Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Ne kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi për ta arritur pozitën e saj të merituar në arenën ndërkombëtare, dhe mbështetja jonë do të vazhdojë. Forcat e NATO-s dhe KFOR-it kanë rol të rëndësishëm në Kosovë në vendosjen e sigurisë. Është krenari që shohim komandantin tonë që vazhdon të ketë suksese këtu në Kosovë”, shtoi ai.
Siguria, Politika dhe Ekonomia, sipas Fidan, janë tri shtyllat kryesore të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Turqisë.