“Fusha në ‘Fadil Vokrri’, 90% plastikë”, shkruajnë rumunët
Rumunët janë ndarë të pakënaqur nga fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, një ditë para se të luhet ndeshja e parë e edicionit të ri të Ligës së Kombeve ndaj Kosovës.
Kosova e Rumania do të luajnë nga ora 20:45 në kryeqytet, në ndeshjen e vlefshme të Grupit 2 të Ligës C.
Sipas mediumit “Fanatik.ro”, trajneri dhe lojtarët e Rumanisë kanë mbetur të befasuar me atë që kanë parë të enjten në stërvitjen zyrtare para lojës.
Mediumi rumun ka shkruar se fusha nuk është hibride, ashtu siç u është thënë, por sintetike.
Lojtarët, sipas rumunëve, e kanë parë të parët, e më pas edhe stafi drejtues.
“Fanatik ka mësuar se për shkak të motit të ngrohtë, bari nuk është rritur dhe ka mbetur vetëm tapeti i plastikës. Bari natyral e ka edhe rolin e lidhjes së terrenit artificial me rrënjë. Përveç kësaj, tapeti ngrihet lartë. Në kushte normale, kur fusha është hibride, 70 për qind duhet të jetë bar natyral dhe 30 për qind, sintetik. Sipas informatave të Fanatik, stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë është 90 për qind plastikë, sepse bari nuk është rritur për shkak të temperaturave të larta”, ka shkruar fillimisht mediumi rumun dhe ka vazhduar tutje.
“Për shembull, National Arena në Bukuresht ka 70 për qind bar natyral dhe 30 për qind hibrid, pikërisht me standardet që i kërkon UEFA”, ka shkruar “Fanatik.ro” të enjten në mbrëmje./koha/