“Tensionet janë shtuar, shmangni zonën e urës së Ibrit” – Mbretëria e Bashkuar i paralajmëron qytetarët e saj të mos shkojnë në veri të Kosovës
Mbretëria e Bashkuar i ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës, përveç nëse e kanë të domosdoshme.
Pasi paralajmëron të mos udhëtohet në vende si Rusia, Irani e të tjera, kryesisht për shkak të konflikteve politike dhe shqetësimeve për sigurinë, Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) e ka futur veriun e Kosovës në pjesën tjetër të listës së vendeve dhe destinacioneve ku nuk rekomandon të udhëtohet nëse nuk është e domosdoshme.
FCDO këshillon që të mos udhëtohet, përveçse nëse është e domosdoshme, “në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër”.
“Kjo për shkak të incidenteve të dhunshme dhe tensioneve të shtuara në këto zona”, thuhet në paralajmërimin e publikuar në web-faqen e qeverisë britanike. Ai është aktual dhe është përditësuar së fundmi më 29 gusht 2024.
Në një seksion të veçantë, FCDO u jep këshilla britanikëve për sigurinë në pjesë të Kosovës.
“Që nga dhjetori 2022 ka pasur përplasje të dhunshme dhe incidente me granata dhe shpërthime automjetesh. Jini të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Austerlitzit (Ura kryesore e Ibrit) që e ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”, thuhet në web-faqen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Situata politike në Kosovë përshkruhet si “në përgjithësi stabile”, por në të njëjtën fjali Zyra e Jashtme britanike përmend se “ekziston rreziku i protestave në komunat veriore të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër” dhe se ato “kanë potencialin të bëhen të dhunshme”.
“Ju duhet t’i shmangni tubimet publike, mitingjet politike dhe protestat, kontrolloni mediat lokale, konsultohuni me recepsionet e hoteleve për këshilla, regjistrohuni për të marrë njoftime me email kur kjo këshillë përditësohet”, i këshillon FCDO britanikët.
Ata këshillohen edhe që t’i shmangin udhëtimet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas përmes pikave kufitare 1 dhe 31.
“Shmangni udhëtimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes Portës 1 (Jarinjë, Leposaviq) ose Portës 31 (Zubin Potok) pasi që ato ndodhen në zonat e Kosovës ku FCDO këshillon kundër të gjitha udhëtimeve, përveç atyre të domosdoshme. Ju duhet të gjeni rrugë alternative për udhëtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Rreziqet tjera
Mbretëria e Bashkuar paralajmëron edhe për çështjen e terrorizmit, duke iu thënë qytetarëve të saj se “terroristët ka të ngjarë të përpiqen të kryejnë sulme në Kosovë”.
“Sulmet terroriste mund të jenë pa dallim, duke përfshirë vendet e vizituara nga shtetas të huaj dhe në tubime të mëdha publike dhe ngjarje kulturore. Terroristët mund të synojnë objekte fetare, duke përfshirë kishat”.
Në fund, Zyra e Jashtme e MB i këshillon britanikët që t’i mbrojnë gjërat e tyre pasi hajnat “operojnë në aeroporte dhe në transport publik” dhe se ata “synojnë njerëz që ata mendojnë se mund të mbajnë sasi të mëdha parash”. Shtetasve të saj u bën thirrje të marrin masa paraprake për t’u mbrojtur nga krimi i rrugës duke udhëtuar “vetëm me taksi të rezervuar paraprakisht”, “duke mos mbajtur bizhuteri apo orë me dukje të shtrenjtë” dhe që t’i shmangin zonat e izoluara gjatë natës.
“Kriminelët mund të synojnë automjete me 4 rrota dhe automjete luksoze – ata mund t’i grabisin pasagjerët ose të përpiqen t’ua marrin automjetin. Merrni këshilla nga kompania juaj e akomodimit ose marrjes me qira të automjeteve për rrugë më të sigurta”.
FCDO paralajmëron se mund të ketë edhe “incidente të izoluara të dhunës së armatosur dhe shpërthime të automjeteve në qytetet kryesore”, por se ato “zakonisht lidhen me krimin e organizuar dhe nuk i synojnë vizitorët”.
Britanikët paralajmërohen të mos u bëjnë fotografi instalimeve, personelit dhe automjeteve ushtarake ose policore dhe pjesëtarët e komunitetit LGBT+ se “Kosova është ende një shoqëri konservatore dhe skena LGBT+ është më shumë e toleruar sesa e pranuar”.
Nëse dikush zgjedh të udhëtojë kundër këshillave të FCDO, sigurimi i udhëtimit do t’i bëhet i pavlefshëm dhe mund të ketë mungesë të mbështetjes konsullore në rast të një emergjence jashtë shtetit.