SBASHK`u ia zë derën VV`së, kërkojnë rritje pagash

SBASHK`u ia zë derën VV`së, kërkojnë rritje pagash

Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), kryetari Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala, dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, zhvilluan një takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës me shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Në këtë takim ishin gjithashtu të pranishëm kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, dhe deputetet Arjeta Rexhepi dhe Arjeta Fejza.

Kryetari Jasharaj theksoi në fillim të takimit se “ne kemi dërguar një kërkesë zyrtare për ngritjen e vlerës së koeficientit të pagave për së paku 30% dhe realizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kthimin e vlerës prej 0.5% për 15 vitet e para të përvojës së punës.”

Ai shtoi se kërkesat e sindikatës janë të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punës dhe për mbështetje të mëtejshme nga qeveria.

Koordinatori Ymeri njoftoi se “ne po punojmë për përgatitjen e draftit të Kontratës Kolektive të Arsimit dhe kërkojmë mbështetje për nismën qytetare që synon ndryshime në Ligjin për Skemat Pensionale.” Ai shpjegoi se qëllimi është që “të kthehet pika 6 e nenit 8, e cila arsyeshëm njeh vitet e 90-ta si vite kontributpaguese.”

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi që çështja e Ligjit për Skemat Pensionale të dërgohet edhe në formë të shkruar dhe u angazhua për të ndihmuar në dialogun lidhur me Kontratën Kolektive të Arsimit. Ajo deklaroi se “ne do të angazhohemi për të siguruar që kërkesat e SBASHK-ut të shqyrtohen dhe të përfshihen në proceset përkatëse parlamentare.”

Në këtë takim u diskutuan gjithashtu çështje të tjera të rëndësishme për arsimin në Kosovë, me theks të veçantë mbi përmirësimin e kushteve për punonjësit e arsimit dhe sigurimin e një mbështetjeje më të madhe nga institucionet shtetërore.

Shpërndaje në: