“Diplomon me 10’she nëse kryen marrëdhënie intime”, profesori që kushtëzoi studenten mungon në seancë
Sot në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet seanca ndaj profesorit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Bashkim Zahiti i cili dyshohet se e kushtëzoi studenten në këmbim të notës, si rrjedhojë dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.
I akuzuari mungoi për arsye shëndetësore, si rrjedhojë seanca është shtyrë.
Zahiti sipas akuzës thuhet se e kishte kushtëzuar studentet për marrëdhënie intime në këmbim të notave.Sipas aktakuzës së ngritur më 17 tetor 2016 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Bashkim Zahiti akuzohet se nga periudha kohore tetor 2014 – mars 2015, ka kërkuar nga e dëmtuara NN., që në këmbim të vendosjes së notës, të ketë marrëdhënie intime me të.
Sipas aktakuzës, megjithëse e dëmtuara, më 20 janar 2014, e kishte kaluar provimin në lëndën “E Drejta Evropiane” tek i akuzuari, ai kishte refuzuar që notën kaluese t’ia vendosë në indeks, duke i kërkuar që të dalë me të.
Në aktakuzë e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i akuzuari i kishte thënë të dëmtuarës, se nëse refuzon të ketë marrëdhënie intime me të, ai do t’ia pamundësojë kalimin edhe të dy provimeve tjera.
Me këtë, Zahiti akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.
I pandehuri, po ashtu akuzohet se ka kushtëzuar të dëmtuarën MM., me marrëdhënie intime, në mënyrë që t’i ndihmonte për të kaluar provimin tek një koleg i tij në Universitetin e Prizrenit, duke i thënë se nëse pranon të vijë në Prishtinë ose në Graçanicë, ai do të bisedojë me kolegun e tij dhe se studentja do ta kryejë fakultetin e do të diplomojë me notë 10.
Sipas organit të akuzës, me këto veprime i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 431, par.1 të Kodit Penal.
Në këtë rast, mbrojtësi i të akuzuarit kishte kërkuar që rasti të bartet në Prishtinë për t’u gjykuar por një kërkesë të tillë Gjykata e Apelit, e kishte refuzuar.