Loci nuk shpreh pendesë: Në gishta i njoh ata që i kam rrahur
Ish-pjesëtari i Sigurimit të Shtetit të Jugosllavisë, Mehmet Loci, nuk ka shprehur pendesë për veprimtarinë e tij e dhunën e ushtruar ndaj ish-të burgosurve politikë shqiptarë.
Loci e mohoi një pjesë të akuzave, por e pranoi që ka ushtruar dhunë ndaj disa shqiptarëve që ishin të burgosur nën regjimin e ish-Jugosllavisë.
“Unë në gishta i njoh kë e kam rrahur”, tha i pa penduar Loci, i cili kishte vepruar në rajonin e Pejës.
Ndryshe, Loci është akuzuar nga shumica e ish të burgosurve politikë që rrëfyen në “Debat Plus” për torturat që i kishin përjetuar gjatë fazës së hetimeve dhe burgjeve të ish-Jugosllavisë.
Loci nuk e ka mohuar dhunën e ushtruar ndajNasim Haradinajt, por që sipas tij po përmenden vetëm shqiptarët që kanë ushtruar dhunë e jo serbët të cilët ishin bashkëpunëtor të tij në Sigurim të Shtetit.
Ai tha se i di emrat kush e ka rrahur Haradinajn duke mos e mohuar edhe veten e tij, por duke i ikur pyetjes indirekt.
“Unë ky që jam përpara, ditën e parë të shoqërimit të Smajl Haradinajt [babai i Nasim haradinajt], kam zhvillu bisedë spastruese fillestare. Ka zgjat disa, po më vjen zor ta them… Ato çka m’ka thanë Smajli nuk do t’ua them. Unë po i them të bëhet burrë. Unë e di kush e ka rreh,[Nasim Haradinajn]. Kam qenë kujdestar. Le ta përmend atë serbin. Çfarë është kjo atmosferë që vetëm lakojnë emrat e shqiptarëve dhe jo serbëve dhe malazezëve”, tha ai.
Haradinaj më herët e kishte përmendur me emër Mehmet Locin si njërin nga torturuesit më të mëdhenj në zyrat e Sigurimit të Shtetit në Pejë. /Dukagjini/