“Të maskuar, me armë zjarri”: Prokuroria tregon se si erdhi deri te vrasja në mes “Capave” dhe Sekiraqëve

“Të maskuar, me armë zjarri”: Prokuroria tregon se si erdhi deri te vrasja në mes “Capave” dhe Sekiraqëve

Mediumi “Betimi për Drejtësi” ka publikuar dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, e cila ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Korab Gashit, Valdrin Ademit, Rober Llumnicës, Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit, të cilët dyshohen për pjesëmarrje në përplasjen e armatosur në lagjen “Aktash” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë Premtim Gashi.

Në dosjen e Prokurorisë është shpjeguar se si erdhi deri te ky rast.

Në këtë dosje, siç raporton Betimi për Drejtësi, thuhet se “të pandehurit Korab Gashi, Valdrin Ahmeti dhe të pandehurit tjerë të panjohur, dyshohen se më 1 shtator 2024 rreth orës 22:04 në lokalin “From” dhe jashtë tij në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe raporteve të përkeqësuara në mes të tani të pandehurve Korab Gashi dhe Salih Sekiraqa, përkatësisht familjeve të tyre- Gashi dhe Sekiraqa, me qëllim të qërimit të hesapeve mes tyre, fillimisht i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi të maskuar të pajisur me armë zjarri pa leje, në bashkëkryerje dhe me qëllim që të privojnë nga jeta tani të pandehurin Salih Sekiraqa dhe djalin e tij të mitur Sh.S., dhe të pandehurin Faton Abazi, hyjnë në lokalin e lartpërmendur, ku kishte edhe persona tjerë dhe me breshëri nga armë të gjata, gjuajnë në drejtim të të pandehurit Salih Sekiraqa, të miturit Sh.S., dhe të pandehurit Faton Abazi”.

Tutje, në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtimi kanë filluar tërheqjen nga brenda lokalit në rrugën “Gazmend Zajmi”, ku iu bashkohen edhe i pandehuri Valdrin Ademi dhe persona të tjerë të dyshuar. Pas kësaj, sipas dosjes, e vazhdojnë përleshjen me Salih Sekiraqen dhe Faton Abazin, të cilëve iu është bashkuar edhe Robert Llumnica dhe persona të tjerë të panjohur.

Me këtë rast, thuhet se të pandehurve Salih, Faton dhe Robert, u shkaktojnë lëndime trupore, me çka menjëherë pas arritjes së policisë në vendngjarje, dërgohen për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa të pandehurit e panjohur- dy prej tyre përmes përdorimit të mjetit motorik me katër rrota largohen nga vendi i ngjarjes dhe të tjerë largohen nga pjesa anësore e epërme e lokalit” – thuhet në raportimin e Betimit për Drejtësi.

Tutje, në dosjen e Prokurorisë tregohet se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e gjatë AK-47, dy revole, të cilat janë konfiskuar dhe një numër i madh i gëzhojave të zbrazura nga armët. Po ashtu, Prokuroria ka treguar se posedon video-incizime nga vendi i ngjarjes dhe foto-dokumentacion dhe se “janë dëgjuar edhe dëshmitarët B.M., N.H., dhe V.J.”

Shpërndaje në: