Tetaj: Sot e asaj dite jam i bindur që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë fiktiv
Dëshmitari Rrustem Tetaj mohon se ka dijeni që ka ekzistuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai tha se edhe për emërimin e Ramush Haradinajt si komandant i Shtabit Rajonal në Dukagjin e kanë bërë vetë dhe s’kanë pasur urdhra nga lart. Tetaj tha se është i bindur që edhe nëse ka pasur Shtab ka qenë fiktiv, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Deri sa e kemi formu na Shtabin Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit në Jabllanicë dhe e kemi zgjedh Ramush Haradinajn si komandant i Shtabit Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit, na vetë e kemi zgjedhë. Sikur të kishte ekzistu një Shtab i lartë na kishin ardh urdhrat. Kishin me thanë që Rrustemi ka me qenë, Ramushi, ai tjetri e ai tjetri. Jo. Aty ka qenë edhe Rexhep Selimi. Me vota e kemi bërë komandant Ramush Haradinajn. Bile Rexhepi e ka propozu Lahi Brahimajn po nuk ka fitu Lahiu dhe Ramush Haradinaj u zgjedh komandant i Rrafshit Dukagjinit. Ky është një element se sikur të ketë pasur një strukturë të lartë të Shtabit qysh po pretendohet gjatë asaj kohe, gjatë luftës dhe mas luftës, na s’kem pas nevojë me i qu gishtat kush bahet. Emërimet e komandanteve në ushtri nuk bahen me gishta por bahet me vendim. Prandaj, asaj kohe na nuk e kem ditë që ekziston Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe nëse ka ekzistu, sot e asaj dite jam i bindur që ka qenë fiktiv duke e ditur që UÇK-ja ka lindur prej popullit dhe jo prej 3-4 vetave”, tha Tetaj.
Ai tha se me aq sa ka dijeni asnjëherë nuk kanë pranuar ndonjë urdhër të lëshuar nga ndonjë Shtab i Përgjithshëm.
“Nese do të kishim një shtab më të lart do të kishim pranu urdhra po ne nuk kem pas”, tha Tetaj.
Ai tha se secili komandant në nënzonen e tij ka pasur mundësi që të vendos vetë.
“Secili komandant i nënzonës ka mujt me vendos vet”, tha Tetaj pasi që fillimisht tha se komunikimi me komandantët e zonave ishte e vështirë.
Ai kishte pohuar se ishte e vështirë edhe për shkak se nuk ekzistonte struktura e nevojshme në atë kohë.
“Edhe unë po e them që Shtabi Rajonal i Rrafshit të Dukagjinit dhe vetë UÇK në Rrafshin e Dukagjinit ka lind nga populli. Prej këtu ka nis dhe jo nga nalt. S’ka shpi që nuk i ka marrë armët me luftu”, tha ai.
Dëshmitari u pajtua se deri në fund të qershorit 1998 nuk ka pas organizim të Policisë Ushtarake në rajonin e Dukagjinit.