Kryeprokurori i Prishtinës për vrasjen në Aktash: Janë marrë kamerat e sigurisë, po i përpunojmë video-incizimet
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka dhënë detaje lidhur me të shtënat me armë zjarri që ndodhën mbrëmjen e 1 shtatorit në mes familjeve Sekiraqa dhe Gashi (të njohur si Capat), ku një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë u plagosën.
Kryeprokurori Gashi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se janë marrë disa kamera tek rrugët e vendit të ngjarjes dhe se janë në fazë të përpunimit të video-incizimeve.
“Mbi bazën e tyre (video-incizimeve) jemi duke bërë përpjekje për të identifikuar që nëse personat që ne i kemi të ndaluar janë duke vrapuar në këtë rast apo është edhe ndonjë person tjetër që ne nuk e kemi brenda të arrestuar”, u shpreh Gashi.
Kryeprokurori i Prishtinës shtoi se janë në fazën fillestare të hetimeve, teksa tha se në momentin që do të identifikohet ndonjë person tjetër i përfshirë në rast do të ndërmerren veprime për arrestim.
“Pesë i kemi të identifikuar deri më tash dhe që të njëjtit janë të ndaluar”, tregoi ai.
Gashi, tha se nuk ka pasur bastisje të tjera, përveç bastisjeve që janë bërë mbrëmjen e të dielës.
Këto bastisje, Kryeprokurori kishte konfirmuar një ditë më parë për “Betimi për Drejtësi” se janë kryer në 5-6 lokacione por që nuk ishte gjetur diçka, shkaku se sipas tij, të dyshuarit ishin të përgatitur.