Fundi i shkollës si kazermë!

Fundi i shkollës si kazermë!

Edukimi si indoktrinim nuk na duhet mâ – shkolla kosovare duhet me u rimendu – ajo duhet me qenë subversive!

Shkruan Halil Matoshi

Qëllimi final i edukimit âsht trajnimi i individëve me mendu në mënyrë kritike, me bâ pyetje sfiduese (subversive) si dhe me ndërtu sjellje që do të siguronin mbijetesën aktive të individëve në një shoqni liberale. Qytetari i edukumë me vetëdije kritike âsht msymja parsore e sistemit arsimor liberal. Roli i mësuesit, në këtë teori, është të sigurojë ambient të përshtatshëm, jomonoton dhe jo anmiqsor, që nxitë sjellje të dëshirume nga individi dhe bashkësia (klasa) tue i shue intencat e padëshirueshme, deprimimin, dembelinë, agresionin, lodhjën, mosinteresimin dhe mbi të gjitha tue i thânë jo infoktrinimit. Pastaj, mësuesit duhet të sjellin materie alternative në mësimdhânie tue përdor revistat shkencore në internetin (web faqet zyrtare, si National Geogeafic, NASA, kanalet TV explorer shkencë, natyrë, histori si dhe Inteligjencën Artificiale.

Interpretimi albanologjik i shkencës dhe ideologjizimi historik

Përgjithësisht në Kosovë sistemi arsimor âsht i vjetruem si përmbajtje dhe si metodologji, kështu që anon kah interpretimi albanologjik i njësive mësimore dhe vet edukimit si dhe botës si totalitet.

A.) Nxënësit i imponohen lekcione që të shumtën nuk do t’i shërbejnë kurrë në jetën praktike, sidomos në krijimin e mundësive për punësim e krijim.

B.) Nxënësi nuk nxitet me bâ pyetje duke e zbrapsur, kurse mendimi kritik, aprovimi ose refuzimi i ndonjë lekcioni ose definicioni nuk i lejohen, mbase mund të sjellë ndëshkim;

C.) Historia mësohet si albanologji e interpretueme ideologjikisht.

D.) Nxënësi nuk merr lekcione krahasimtare e të duhuna në dritën e të nxânit modern, për teoritë evolutive dhe kreacioniste, për krijimin e botës (Gjithësisë) dhe njeriut.

E.) Nxansi nuk merr lekcione për shkencen si dyshim, porse ma parë nxitet të sillet simas bestytnive fetare që mbjellin frikë e dogma. Në themelimin e një shkolle, Russell shpresonte të ofronte një alternativë ndaj vlerave tradicionale arsimore, të cilat në këtë kohë ende mbështeteshin në një hierarki të krishtenë autoriteti të mbajtun nga mësuesit, përmes regjimeve të rrepta dhe ndëshkimeve trupore.
“Për shkak të identifikimit të fesë me virtytin, së bashku me faktin se njerëzit më fetarë nuk janë më inteligjentët, nji edukim fetar u jep guxim budallenjve për t’i rezistuar autoritetit të njerëzve të arsimuem. siç ka ndodhë, për shembull, në vender ku mësimi i evolucionit âsht ndalu.” – Bertrand Russell, “Edukimi dhe Rendi Social” (1932), Ch. VIII: Feja në arsim, f. 110.)

Kosovarët në shkollë nuk mësojnë për organizimin e bashkësive njerëzore, familje, komunitet, popull, etni, shtet, komb, por u servohen ende lekcione nga epoka e ideologjisë staliniste (si relikte të sentimentit enverist dhe albanocentrist);

Nxansi kosovar “detyrohet” me u bâ nji patriot arkaik dhe nacionalist romantik, qoftë edhe si kercënim për rendin simbolik dhe kushtetues të Kosovës.

F.) Nxânësi i Kosovës mëson shkrimleximin por nuk aftësohet me qenë i logjikshëm në përgjigje. Psh. testi PISA dëshmon se nxansat kosovarë dijnë me lexu porse kanë vështirësi me ia gjetë nji kuptim lekcionit t’lexuem si dhe bien në siklet me logjikën formale, psh. në pyetjen: “A këndon shkolla juej”?, shumica absolute e nxansave kosovarë përgjigjen “Po”.
Kurse përgjigja logjike duhet me qenë: “Këndon kori i shkollës”!
Pra shkolla nuk këndon!?

G.) Nxansat në Kosovë nuk ushtrohen ta zbërthejnë një përmbajtje (materie) për ta kuptu thelbin e asaj që e dëgjojnë, shohin ose lexojnë dhe se nxitën në të mësuarit përmendësh (të një poezie psh.) por jo për ta dekonstruktuar atë, pra për t’ia thënë kuptimin.

Sëkëndejmi, arsimi duhet me qenë subversiv e jo përshtatje metodave e ideologhive të vjetra.

Indoktrinimi vs subversioni

Sistemi arsimor kosovar duhet me i liberalizu qasjet sikur edhe të manifestojnë kandveshtrime mendjehapuna e plurale për fenomene, koncepte e dije moderne (të rishkruhen librat e dijeve humane si edukatë qytetare, histori e dituni shoqnie.)

Përmbajtjet mësimore duhet me u nda p’ejdogmatizmit dhe ideologjizimit e me u avancue në kahe të diversitetit dhe multikukturalizmit, sepse ato janë ende të ngarkueme me interpretim historicist, nacionalizëm etnik dhe racizëm kulturor, misogjini, seksizma, fetishe e dhunë të legjitimueme ndaj tjetrit/tjetrës si dhe paragjykime e mendësi kolektiviste.

Në librin “Jeta e Bertrand Russell” (1976), fq. 423, Ronald William Clark citon filozofin e madh, i cili kish me i ndihmu shkollës kosovare në këtë rast, me u shkëputë përfundimisht nga qasja komuniste dhe albanocentriste, ku dijet humane dhe vet historia mësohen si albanologji dhe metoda e mësimdhânues konsiston në indoktrinimin si proces i mësimit të një personi ose grupi për me pranu nji grup besimesh në mënyrë jokritike që në thelb âsht shplamje truni. Ndërsa shoqnia kosovare mësynë transformimin dhe refirmimin rrâjsor, ka nevojë për mësim subversiv si minim i fuqisë dhe autoritetit të nji sistemi apo institucioni të krijuem tradicional.

“Kam frikë se arsimi asht mendue ma shumë n’kontekst t’indoktrinimit prej shumicës së zyrtarëve t’shkollave dhe sistemeve arsimore, sesa n’kontekst t’ndriçimit. Bindja jeme âsht se arsimi duhet me qenë subversiv nëse duhet me qenë kuptimplotë. Me këtë due me thanë se duhet me i sfidue krejt gjânat që i marrim si t’mirqena, me j shqyrtue krejt supozimet e pranueme, me ngacmue gjithsecilen tabu, edhe m’e nxitë e inkurajue nji dëshirë për me pytë e me dyshue. Pa këtë, vetëm mësimi për m’e memorizue t’dhana âsht i kotë. Përpjekja për me imponu mediokritetin konvencional tek rinia asht kriminale.”

Si të krijihet nxanësi/studenti krijues?

Sistemi arsimor duhet me e formue individin e fuqishëm dhe shoqërisht aktiv e kreativ, që e shquejnë idetë e reja që thyejnë tradita e klishe si dhe impulset ekonomike (me u mësu me kriju vlerë të shtuene) për nji shoqni të lirë kapitaliste dhe liberaldemokratike.

“Kur doni t’i mësoni fëmijët të mendojnë, filloni tue i trajtu seriozisht kur janë të vegjël, tue u dhânë atyne përgjegjësi, tye u folë sinqerisht, tue u siguru atyne privatësi dhe vetmi dhe tue i bâ lexues dhe mendimtarë të ideve domethânëse që në fillim. Kështu duhet, nëse doni t’i mësoni ata të mendojnë.” – shkruen Russell, (Totems Philosophical of Bertrand Russell, f. 30.)

Ashiqare e ardhmja e dijeve na yshtë të mendojmë për ndryshime radikale në kurrikulat mësimore tue menjanu alogjizmat dhe tregimet “me gjak e vorre”.

Janë imediate, të domosdoshme, ndryshimet thelbësore të kurrikulës, konform me dijet dhe teknikat moderne të mësimdhënies. Duhet të çlirohen materiet nga ideologjitë dhe ngarkesat emocionale e folklorike. Në ndërkohë të aplikohen ligjerata online, të dendësohen trajnimet dhe vizitat vëzhguese, ekskursionet me qëllime mësimore si dhe këmbimet.

Shpërndaje në: