Fundi i mandatit, krizë për vota – Dyshime për dallavere në konkurset e hapura nga ministria e Pecit
Ministria e udhëhequr nga Faton Peci, dyshohet se ka shkelur ligjin në shpalljen e dy konkurseve për punë për pozitën Inspektor i Pylltarisë dhe Inspektor për Toka Bujqësore. Se për çka bëhet fjalë, Periskopi ju sjell detajet në vazhdim…
Më datë 30.08.2024, MBPZHR ka shpallur një konkurs për dy vende pune për pozitën Inspektor i Pylltarisë.
Në kriteteret e përgjithshme formale, në konkursin e shpallur nga Peci, ndër të tjera kërkohet ‘së paku dy (2) vite përvojë pune profesionale në fushën për të cilën zhvillohet procedura për plotësimin e pozitës së lirë të punës.
Këtu dyshohet se është bërë shkelja e parë ligjore në konkursin e shpallur.
LIGJI NR.08/L-137 PËR PYJET, NENI 71 – pika 3.13. thotë se Detyrën e Inspektorit të Pylltarisë, e kryen vetëm personi që ka përgatitje profesionale në pylltari me më së paku tri (3) vite përvojë pune në profesion.
Ndër të tjera, LIGJI Nr. 03/L-029 e rregullon punën e Inspekcionit Bujqësor.
Neni 4, pika 3. e këtij Ligji, thotë se Punën e inspektorit e kryen vetëm personi i cili posedon përgatitjen superiore të drejtimit përkatës dhe përvojën e caktuar profesionale.
Shkelja e dytë dyshohet se është bërë tek konkursi tjetër i shpallur nga Ministria e Pecit.
MBPZHR ka kërkuar edhe 10 Inspektor të Tokave Bujqësore. Ky konkurs i hapur për aplikim nga data 08.08.2024 deri më 06.09.2024 dyshohet se ka shkelje ligjore në kërkesat e përgjithshme formale të cilat i kërkon kjo Ministri.
Për dallim nga konkursi i lartcekur për Inspektor të Pylltarisë, tek ky i fundit kërkohet që kandidati të ketë vetëm diplomën e arsimit të lartë të nivelit të parë (Bachelor). Pra, nuk specifikohet sikurse në konkursin për Inspektor të Pylltarisë edhe për fushat që ky konkurs kërkon.
Si dhe konkursi nuk përkon me Ligjin për Tokat Bujqësore Nr. 02/L-26. Neni 39 paragrafi 40.1 – Inspektori duhet ta ketë përgatitjen superiore profesionale të drejtimit të bujqësisë dhe sëpaku tri vite përvojë pune në fushën e bujqësisë.
Ky lëshim nga Ministria e udhëhequr nga Faton Peci, nuk dihet nëse është bërë qëllimshëm për të ‘kurdisur’ një konkurs për ndonjë të afërm apo militantë të partisë. Kjo ngase, nuk është hera e parë që MBPZHR shkel ligjin e as nuk do të ishte hera e parë që Qeveria Kurti ka bërë punësime familjare nëpër institucione të shtetit. / Periskopi/