Policia shpalos detaje të reja për përplasjen e armatosur në ‘Aktash’

Policia shpalos detaje të reja për përplasjen e armatosur në ‘Aktash’

Dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek janë gjetur të hënën gjatë ekzaminimit të vendit ku ndodhi përplasja e armatosur në ‘Aktash’ të Prishtinës.

Policia ka thënë sot se armët dhe karikatori janë gjetur gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë.

“Lidhur me rastin, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek”, tha Policia.

Rasti, i cili tronditi Prishtinën e që ndodhi të dielën në mbrëmje, është duke u hetuar, tha Policia në një njoftim për ngjarjen në raportin 24-orësh.

Një person vdiq dhe pesë persona të tjerë u plagosën nga breshëri plumbash me kallashnikov dhe armë automatike, të cilat u shkrepën në rrugën ‘Gazmend Zajmi’.

I vrari Premtim Gashi është varrosur të hënën në Prishtinë.

Ndërkaq, pesë të plagosurit, përfshirë gangsterin Salih Sekiraqa, po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare. Ata janë jashtë rrezikut për jetë, bënë të ditur të hënën shefat e klinikave përkatëse në QKUK.

Shpërndaje në: