“Radoniqi Petrol”/Kryetari i KQZ-së kampion në shpenzimin e derivateve dhe i vetmi me veturë me tabela private, të tjerat qarkullojnë me “5Z”
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka lënë prapa kolegët e tij anëtarë në shpenzimin e derivateve që mbulohen me shpenzimet e institucionit që e drejton.
Dhe jo vetëm kaq, por Radoniqi dallohet nga kolegët e tij anëtar edhe për veturën që shrytëzon.
“Kryetari i KQZ-së, Radoniqi, të dy detyrat shtetërore, si drejtues i KQZ-së, por dhe si gjyqtar në Gjykatën e Apelit, i kryen duke shfrytëzuar veturën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, bëjnë të ditur këto burime.
FrontOnline ka siguruar raportin e shpenzimeve të derivateve për veturat e KQZ-së për periudhën janar – qershor 2024, ku vërehet se Radoniqi ka shpenzuar me mijëra litra karburante, shumëfish më shumë se çdo anëtar tjetër i KQZ-së.
Asnjë veturë tjetër zyrtare e KQZ-së, nuk i afrohet shpenzimeve të mëdha të Radoniqit, edhe pse sipas raportit, vërehet se veturat tjera shfrytëzohen nga zyrtarë të ndryshëm të KQZ-së.
Vetëm gjatë periudhës janar – qershor 2024, të gjitha veturat e KQZ-së kanë shpenzuar 7,851 litra derivate dhe 247 litra disa vetura tjera të huazuara për një periudhë të shkurtër nga KQZ. Nga kjo sasi e derivateve të shpenzuara, vetëm Radoniqi me veturën e tij ka shpenzuar 1,029 litra.
Portali i ka dërguar gjatë ditës së hënë pyetje KQZ-së në lidhje me derivatet e shpenzuara nga kryetari dhe anëtarët e KQZ-së, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Kliko tek raporti për detaje lidhur me shpenzimet e derivateve për veturat e KQZ-së: RAPORT I SHPENZIMEVE TE DERIVATEVE PËR VETURAT E KQZ (1).