Aktakuzë ndaj Ilir Avdullahut për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës

Aktakuzë ndaj Ilir Avdullahut për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Avdullahu, për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se Avdullahu ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas aktakuzës i pandehuri I.A. në bashkëkryerje me tani të dënuarit A.B. dhe F.A. si dhe me të pandehurit E.S. dhe RR.A. si grup i organizuar kanë kryer veprën penale të  vrasjes së rëndë, nga neni 147 paragrafi 1 nën paragraf 3 e 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Se rasti ka të bëjë me Avdullahun, e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i tij, avokati Ramë Dreshaj.

“Konfirmoj se aktakuza është për klientin tim, edhe pse s’jam njoftuar ende zyrtarisht, por në bazë të përfshkrimit mbi njoftim, ka të bëjë me klientin tim”, tha Dreshaj.

Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.

Shpërndaje në: