Rusia sulmon Kievin me raketa balistike

Rusia sulmon Kievin me raketa balistike

Rusia ka kryer sulme me dronë, me raketa lundruese dhe balistike ndaj Kievit mëngjesin e 2 shtatorit, tha kryetari i kryeqytetit ukrainas.

Të paktën dy persona janë plagosur, ndërkaq zjarri, që u shkaktua nga rënia e copëzave të raketave, ka dëmtuar shtëpi dhe infrastrukturë.

Një ndërtesë e një impianti të ujit, që shërbente si strehimore ndaj bombardimeve në Kiev, është dëmtuar pjesërisht, tha kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitaliy Klitschko.

Ai tha se dy persona u plagosën gjatë sulmit, duke shtuar se ekipet emergjente kanë intervenuar në disa qarqe të Kievit, pas rënies së copëzave të raketave.

Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, tha se mbi 10 raketa lundruese, 10 raketa balistike dhe një dron që u gjuajtën nga Rusia ndaj Kievit u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Për rreth dy orë, në mbarë Ukrainën u lëshuan alarmet për sulme ajrore, ndërkaq më pas autoritetet thanë se qiejt e Ukrainës ishin të sigurt. Polonia fqinje, shtet anëtar i NATO-s, sipas agjencisë Reuters, ngriti në ajër avionët e saj dhe të aleatëve për të mbajtur të sigurt hapësirën e saj ajrore gjatë këtyre sulmeve.

Ndërkaq, në Harkiv – qytetin e dytë më të madh në Ukrainë – dy dronë goditën një ndërtesë banimi dhe një shkollë, raportuan mediat ukrainase. Nga këto sulme nuk është raportuar për viktima.

Moska akuzon Kievin për sulm masiv me dronë në Rusi

Sulmet vijnë një ditë pasi ushtria e Rusisë tha se ka shkatërruar 158 dronë të Ukrainës që ishin lëshuar drejt rajoneve ruse. Ky është cilësuar si një prej sulmeve më të mëdha të kryera nga Ukraina që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Po ashtu, ky sulm u krye disa javë pasi forcat ukrainase nisën një ofensivë në rajonin rus të Kurskut.

Shpërndaje në: