Fillimi i vitit shkollor – Nagavci sot viziton dy shkolla në Prishtinë, pesë prej tyre përqafojnë mësimin gjithëditor

Fillimi i vitit shkollor – Nagavci sot viziton dy shkolla në Prishtinë, pesë prej tyre përqafojnë mësimin gjithëditor

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci do të vizitojë sot  dy shkolla në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se Nagavci nga ora 10:00 do të vizitoj shkollën “Iliria”, ndërsa nga ora 11:00 shkollën “Elena Gjika”.

Mësimi nuk do të kufizohet vetëm në libra dhe në teori. Do të ketë aktivitete praktike, lojëra edukative, rekreacion e kulturë.

Këto ndryshime do të zbatohen në vitin e ri shkollor 2024/2025 në ciklin e ulët në pesë shkolla fillore publike në Prishtinë.

Me vendim të komunës së kryeqytetit, mësimi gjithëditor do të zhvillohet për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën.

Shkollat ku do të nisë ky projekt, janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.

Viti i ri shkollor 2024/2025 pritet të nisë sot të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës më 2 shtator.

Tekstet dhe materialet e tjera shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën financohen nga Qeveria e Kosovës.

Sikurse vitin e kaluar, paratë janë transferuar në llogaritë bankare të prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat për fëmijë.

“Deri më tani kanë aplikuar gjithsej 194.180 prindër ose kujdestarë ligjorë, ndërsa janë subvencionuar gjithsej 171.200 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve vazhdon”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së tij, të mbajtur më 28 gusht.

Për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, prindërit ose kujdestarët ligjorë subvencionohen me nga 80 euro, ndërsa për nxënësit nga e gjashta deri në të nëntën subvencionohen me nga 110 euro.

Shpërndaje në: