Grabitja e thasëve me para në Rinas, dëshmia e Nuredin Dumanit: Talo Çela ka marrë 600 mijë euro
“Pentito” i drejtësisë, Nuredin Dumani është zbërthyer dhe ka treguar një sërë ngjarjesh kriminale, ku një prej tyre ka qenë dhe grabitja e lekëve në Rinas nga grupi i Talo Çelës.
Sipas Ora News mësohet se Dumani ka treguar se në ngjarje kanë marrë pjesë Talo Çela, Altin Ndoci, vellezerit Çala, Admir Murataj, Dashnor Dumani, Dorian Shkoza, personi me pseudonimin Çalamani nga Fushë – Kruja.
Nuredin Dumani ka treguar se gjatë një bisedë që ka bërë më të vëllain, Dashnorin ky i fundit është shprehur se informacionin për kalimin e vlerave të parave e ka marr Eldi Çala, nëpërmjet një vajzë e cila ishte punonjës policie në Rinas.
Ditën e ngjarjes për shumat e parave janë njoftuar nga vajza në fjalë, ku pasi e ka dërguar mesazhin e ka hedhur telefonin në tualet.
Gjithashtu Ora News, referuar dosjes hetimore, bën me dije se Dumani është shprehur se Talo Çela i ka treguar se nga Rinas kanë marrë diku 6 ose 7 çanta me para, ku 200 mijë euro ia kanë dhënë Çalamanit nga Fushë Kruja për fshehjen në shtëpinë e tij. Ndërsa, vëllai i Nuredinit, Dashnor Dumani, ka marrë 30 mijë euro, kurse Talo Çela ka siguruar një shumë prej 600 mijë euro.
Në dëshminë e Nuredin Dumanit të dhënë para SPAK evidentohet fakti se në atë kohë ai ka qenë në burg të Francës. Duke qenë drejt përfundimit të dënimit ai i ka kërkuar shtetit francez azil me argumentin se në vendin e tij i rrezikohej jeta.
Në kërkesën që Dumani kishte depozituar pranë autoriteteve franceze mësohet se ka shkruar se vëllai i tij, Dashnor Dumani, ka marrë pjesë në grabitjen e parave në Rinas dhe mes personave që kanë qenë pjesë e kësaj skeme kriminale do të ketë përplasje.
Mirëpo, kjo kërkesë e Dumanit u hodh poshtë nga autoritetet franceze.