Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka thënë se 1595 persona janë ende të zhdukur.
Ai është shprehur se ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i thellë, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne u kemi borxh, që siç u shpreh ai, me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona, të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre.
“Në këtë betejë, përballë e kemi një shtet gjenocidal, që e mohon të kaluarën. Por ne nuk do të heshtim, e as nuk do të ndalemi së thëni të vërtetën. Në muajt e fundit të vitit 2000 dhe përgjatë vitit 2001, në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo edhe Peruqac, janë nxjerrur 900 shqiptarë, pleq, gra e fëmijë. 744 në Batajnicë, 84 në Petrovo Selo dhe 72 në Peruqac”.
“Pastaj, nuk ka pasur zhvarrime të tjera, sepse nuk ka pasur gërmime dhe, në periudhën nga viti 2010 deri në 2021, në dy varreza të tjera masive janë nxjerrur edhe 61 shqiptarë të tjerë: 54 në Rudnicë edhe 7 në Kizhevak. Pra pjesa dërmuese, afër 94 përqind të zhvarrosurve, janë në muajt e parë pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit dhe më pastaj nuk ka pasur vullnet në Serbi për gërmime të mëtutjeshme”.