Arsyetimi i VV-së, Cakolli: Kishin afat 15 ditë me plotësu një dokument të thjeshtë
Dy partitë e vogla, Lista GUXO dhe Alternativa, janë arsyetuar sot se s’kanë arritur të futen në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të pamundësisë së përmbushjes së procedurave dhe afatit të shkurtër ligjor.
Megjithatë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar një dokument të vetëm që partitë është dashur të plotësojnë për të shprehur vullnetin e tyre për koalicion pranë KQZ-së.
Ai thotë se partitë kanë pasur kohë 15 ditë për të plotësuar një dokument të tillë me të dhëna bazike dhe shumë të thjeshta.
“Ky është dokumenti I VETËM që është dashur të dorëzohet në KQZ nga partitë që kanë planifikuar të garojnë në zgjedhje përmes koalicionit (parazgjedhor).
Për plotësimin e kësaj flete kanë qenë në dispozicion 15 ditë. Pra, thjesht emrin e partisë, emrin e koalicionit, nënshkrimin e kryetarit dhe datën.
Prapëseprapë, të gjitha subjektet politike – përfshirë partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur – do t’i nënshtrohen procedurës së certifikimit [bashkë me listat e kandidatëve] prej datës 1 shtator e deri më 11 dhjetor”, ka shkruar Cakolli.