Krasniqi për aksionin në Veri: Janë mbyllur institucionet paralele ilegale
Policia e Kosovës ka nisur një aksion në objektet e strukturave paralele në komunat në veri.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se në aksion janë mbyllur komunat paralele në Mitrovicë, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq.
“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
“Institucionet e Republikës së Kosovës oftojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë”, ka shtuar ai.
Policia e Kosovës kryen bastisje në katër komunat në Veri të Mitrovicës