SBASHK kërkon nga Qeveria rritje të koeficientit të pagave me 30%

SBASHK kërkon nga Qeveria rritje të koeficientit të pagave me 30%

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka mbajtur një takim me kryetarët e Sindikatave Komunale të Arsimit Parauniversitar (SKAP) dhe kryetarin e Sindikatës së Universiteteve të Shkencës dhe Kulturës (SUSHK).

Gjatë këtij takimi, kryetari Rrahman Jasharaj informoi pjesëmarrësit për veprimet e ndërmarra nga SBASHK që nga mbledhja e fundit.

Pas diskutimeve, u arrit marrëveshja për formimin e një komisioni që do të hartojë Draft-Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës, e cila do të përfundohet brenda një jave dhe më pas do të dërgohet për diskutim publik tek anëtarësia për të hartuar draftin final që do të dorëzohet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Në takim u vendos gjithashtu që SBASHK-u të fillojë një iniciativë qytetare për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, duke mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime nga anëtarët dhe qytetarët e tjerë për t’i dorëzuar në Parlament për procedurat e duhura.

Gjithashtu, SBASHK-u do t’i drejtohet MASHTI-t dhe Qeverisë për një rritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30%, që do të fillonte së zbatuari me pagën e muajit shtator 2024.

“Nga takimi doli kërkesa që t’i drejtohet MASHTI-t dhe Qeverisë, për ngritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30% me rishikim të buxhetit të vitit 2024 ose me vendim të Qeverisë, por kjo ngritje të filloj së zbatuari me pagën e muajit shtator 2024”, njofton SBASHK-u.

Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin e tyre për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e Pagave, veçanërisht për pagesën e përvojës së punës në 15 vitet e para, ku aktualisht paguhet vetëm 0.25%.

Ata kërkojnë që Qeveria të implementojë këtë vendim në mënyrë retroaktive që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave.

Gjatë javës së ardhshme, do të mbahen kuvendet e sindikatave komunale dhe universiteteve për të diskutuar me anëtarësinë lidhur me këto çështje dhe për të marrë mendimin e tyre për veprimet e ardhshme sindikale në rast të mosrealizimit të kërkesave.

Këto takime do të zhvillohen para mbledhjes së Këshillit Drejtues të SBASHK-ut që do të mbahet në fund të shtatorit, ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm sindikal.

Shpërndaje në: