Zhegrova, Krasniqi, Rrahmani dhe Hoxha do të luajnë kundër gjigantëve evropianë në Ligën e Kampionëve

Zhegrova, Krasniqi, Rrahmani dhe Hoxha do të luajnë kundër gjigantëve evropianë në Ligën e Kampionëve

Sot të 36 skuadrat kanë mësuar shorti e Ligës së Kampionëve që u mbajt në Monako. Kalendari aktual do të hartohet të shtunën më 31 gusht, ku do të dihet edhe renditja e ndeshjeve. 

Të gjitha ekipet shkojnë në një tabelë të ligës së madhe dhe tetë të parat kalojnë direkt në fazën tjetër, ndërsa mesi i tabelës hyn në play-off.

Janë 14 lojtarë shqiptarë që do të luajnë në fazë e parë të Ligës së Kampionëve, prej tyre katër që kanë dal nga futbolli i Kosovës.

Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, do të ketë mundësinë të luajë me disa nga gjigantët e futbollit evropianë.

Kjo pasi që Lille është shortuar me klube si Real Madrid, Liverpool, Juventus, Atletico Madrid, Feyenoord, Sporting Lisbona, Sturm Graz dhe Bologna.

Zhegrova ka qenë ylli kryesor i Lille në fazën eliminatore, duke shënuar tre gola dhe duke i dhënë skuadrës së tij kualifikimin. Magjitë e tij do të vazhdojnë edhe në fazën e parë të Ligës së Kampionëve.

Sparta Praga ka katër lojtarë shqiptarë dhe kthehet në Ligën e Kampionëve pas shumë vitesh mungesë.

Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani, Qazim Laçi dhe Indrit Tuci do të kenë mundësinë të tregojnë vetën në Ligën e Kampionëve.

Krasniqi dhe Rrahmani që janë produkt i futbollit kosovar, ndërsa deri para një viti luanin me Ballkanin në Ligën e Konferencës, tani do të kenë mundësi të tregojnë vetën në garën më të madhe në botë për klube.

Ata do të luajnë kundër ekipeve si Inter, Man City, Atletico Madrid, Bayer Leverkusen, RB Salzburg, Feyenoord, Brest dhe Stuttgart.

Rritja e tyre ka qenë e rëndësishme në vitet e fundit, ndërsa tani kanë mundësi të tregohen në këtë garë që para pak vitesh ishte vetëm ëndërr për ta.

Tjetër emër i dal nga futbolli kosovar, Arbër Hoxha, me Dinamo Zagrebin e tij do të mundohet të tregojë forcën.

Dinamo Zagreb do të ketë për kundërshtarë Bayern Munich, Borussia Dortmund, Arsenal, Milan, Celtic, Salzburg, Monaco dhe  Slovan Bratislava.

Një ëndërr e bërë realitet për djelmoshat që janë rritur në futbollin e kosovar dhe tani do të luajnë në skenën e madhe evropiane .

Shpërndaje në: