OBSH: Arrihet pajtim për pauza të shkurtra në luftime në Gazë për vaksinim kundër poliomielitit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të enjten se ka arritur marrëveshje me Izraelin për ndërprerje të kufizuara të luftimeve në Rripin e Gazës, në mënyrë që të mundësohet vaksinimi i qindra mijëra fëmijëve kundër poliomielitit.
Një foshnje u infektua me poliomielit së voni, duke u bërë rasti i parë i konfirmuar me këtë sëmundje në 25 vjetët e fundit në territorin palestinez.
Fushata e vaksinimit, e përshkruar si “pauzat humanitare”, do të zgjasë nga tri ditë në pjesë të ndryshe të Gazës dhe do të fillojë të dielën nga Gaza qendrore, tha Rik Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së për territoret palestineze.
Pas përfundimit të fazës së parë, faza e dytë do të nisë në jug të Izraelit ku do të ketë ndërprerje të luftimeve për tri ditë, ndërsa faza e tretë do të zhvillohet në veri të Gazës, tha ai.
Ai tregoi se ndërprerjet në luftime do të zgjasin nga tetë deri në nëntë orë në ditë.
Peeperkorn tha se qëllimi është të vaksinohen 640.000 fëmijë nën moshën 10-vjeçare dhe se për fushatën e vaksinimit janë koordinuar me autoritetet izraelite.
OBSH-ja ka thënë se duhet të vaksinohen 90 për qind e fëmijëve në Gazë për ta parandaluar përhapjen e poliomielitit.
“Ne kemi nevojë për këtë pauzë. Kemi marrëveshje për këtë dhe presim që të gjitha palët t’i përmbahen asaj”, tha ai.
Këto pauza humanitare nuk janë armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ndërmjetësit SHBA, Egjipti dhe Katari ka kohë të gjatë që po kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim. Bisedimet janë duke vazhduar edhe këtë javë.
Hamasi është “i gatshëm të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare për ta siguruar këtë fushate”, tha Basem Naim, anëtar i zyrës politike të Hamasit./rel