CIA: Sulmi gjatë koncertit të këngëtares Taylor Swift, synonte mijëra viktima
Planifikuesit e sulmit të dështuar gjatë koncertit të këngëtares Taylor Swift në Vjenë, synonin të vrisnin “dhjetëra mijëra” pjesëmarrës. Sulmi dështoi pasi agjencia amerikane e zbulimit CIA mori informacione që mundësuan arrestimin e autorëve, njoftoi nëndrejtori i CIA-s.
CIA njoftoi autoritetet austriake për planet e terroristëve, të cilët mendohet se kanë lidhje me grupin Shteti Islamik. Nga informacionet e zbulimit dhe arrestimet që pasuan, u anuluan edhe tre turne për të cilat ishin shitur paraprakisht të gjitha biletat, duke i pezmatuar kështu artdashësit që kishin udhëtuar nga mbarë globi për të ndjekur koncertin e Taylor Swift-it.
Nëndrejtori i CIA-s, David Cohen, foli për këtë gjatë takimit vjetor për Zbulimin dhe Sigurinë Kombëtare, të mbajtur në Merilend.
“Po planifikonin të vrisnin një numër shumë të madh – dhjetëra mijëra persona në këtë koncert, ndër ta me siguri shumë amerikanë – dhe kishin përparuar shumë drejt këtij objektivi”, tha zoti Cohen të mërkurën. “Austriakët arritën t’i bënin arrestimet pasi agjencia jonë dhe partnerët tanë në komunitetin e zbulimit u dhanë informacione për ato çfarë planifikonte të bënte ky grup i lidhur me ISIS-in”.
Zyrtarët austriakë thanë se i dyshuari kryesor, një shtetas austriak 19-vjeçar, ishte i frymëzuar nga Shteti Islamik. Ai mendohet se planifikonte ta bënte sulmin me thika dhe eksplozivë artizanalë jashtë stadiumit, ku do të mblidheshin mbi 30 mijë artdashës. Rreth 65 mijë pjesëmarrës të tjerë pritej të ishin brenda stadiumit. Hetuesit zbuluan substanca kimike dhe pajisje teknologjike gjatë bastisjes së shtëpisë së tij.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, ishte shprehur më parë se nevojitej ndihma e agjencive të tjera të zbulimit, pasi hetuesit austriakë, në dallim nga këto agjenci, nuk kanë kompetenca ligjore për të monitoruar mesazhet e celularëve.
Avokati i 19-vjeçarit ka thënë se akuzat janë “të ekzagjeruara, në rastin më të mirë” dhe pretendoi se autoritetet austriake po e fryjnë rastin për të përfituar kompetenca më të mëdha për përgjime.
Taylor Swift e theu heshtjen e saj javën e kaluar, pas përfundimit të koncerteve në Londër.
“Anulimi i koncerteve në Vjenë ishte tronditës”, shkruajti ajo në Instagram. “Arsyeja për anulimin më dha një ndjesi të re frike dhe faji të madh, pasi kaq shumë njerëz kishin planifikuar të vinin në koncerte”.