Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti soti mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar, ku theksoi se kjo iniciativë përkrah bizneset vendore për të zhvilluar aktivitetet e tyre.
Sipas Kurtit, Qeveria është e fokusuar në mbështetjen e sektorit privat, ndërsa shtoi se në vitin 2024 Bruto Produkti Vendor është 1/3 më i lartë, dhe buxheti shtetëror vjetër është për 35 % më i lartë.
“Kjo iniciativë i përkrah bizneset vendore, sipërmarrësit e rinj, të rejat e të rinjtë të vendit tonë për të ngritur e zhvilluar aktivitetet e tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të mbështes sektorin privat i cili është një faktor i rëndësishëm i punësimit dhe i rritjes ekonomike në vendin tonë. Krahasuar me vitin 2021, tash që po flasim në vitin 2024, Bruto Produkti Vendor është për 1/3 më i lartë, derisa buxheti shtetëror vjetor është për 35 përqind më i lartë”, ka theksuar Kurti.
I pari i qeverisë tha para të pranishmëve se gjatë këtyre viteve ka pasur punësim të shtuar dhe ai është rritur për 20 për qind
“Sigurisht kjo është përkthyer me punësim të shtuar krahasuar para tre vjetëve në Kosovë është rritur punësimi për 20 përqind, përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar. E pa dyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aktivitetit të sektorit privat”, tha Kryeministri Kurti.
Sipas tij, Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar nuk është thjesht një iniciativë, por është një projekt kombëtar, që synon të përmirësojë jetën e çdo qytetari.
“Me këtë program ne po investojmë në të ardhmen e Kosovës, duke siguruar asnjë rajon të mos mbetet prapa dhe që mundësitë të jenë të barabarta për të gjithë. Kryeministri ka qenë gjithmonë mbështetës i fuqishëm i zhvillimit të qëndrueshëm dhe të balancuar të Kosovës, nën udhëheqjen e tij ne kemi punuar për të siguruar që fondet e Kosovës të përdoren në mënyrë të drejtë dhe transparente për të arritur një rezultat konkret që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë”, tha Kurti në ceremoninë që mori pjesë sot.