Pacolli për krizën në Trepçë: Fotografitë e fundit kanë ngjashmëri me ato të kohës së Millosheviqit
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, është përfshirë në debatin për gjendjen e Trepçës dhe ka thënë se fotografitë e fundit nga miniera ngjajnë me ato të “kohës së Millosheviqit”.
Pacolli ka thënë se mos dhënia e pagave, shpallja e gjendjes emergjente dhe kërcënimet e fajësimet e punëtorëve për gjendjen janë rezultat i politikave të gabuara të qeverisë dhe tregojnë paaftësinë për drejtimin e ndërmarrjeve.
Kreu i AKR-së thotë se premtimet e Qeverisë për Trepçën kanë qenë ndryshe.
Postimi i plotë:
Më vjen keq për të parë minatorët e Trepcës në këtë gjendje të vështirë. Fotografitë e fundit që kanë ngjashmëri me ato të kohës së Millosheviqit shkaktojnë turp! Mos ekzekutimi i pagave, shpallja e gjendjes emergjente, kërcënimet dhe fajsimi i punëtorve për gjendjen e rëndë në miniera, si dhe masa e përjashtimeve nga puna për shkaqe që nuk lidhen me minatorët, por janë rezultat i politikave të gabuara të qeverisë dhe menaxhmentit të saj, tregojnë paaftësinë në drejtimin e ndermarrjeve sipas rregullave ekonomike. Trajtimi i dinjitetshëm i puntorve është një çështje themelore kurse përjashtimet nga puna janë të papranueshme. Veprimet e menagjmentit të përzgjedhur nga qeverija janë në kundërshtim me normat esenciale njerëzore dhe të drejtat e punëtorve!
Premtimet e kësaj qeverije për Trepçen ishin ndryshe!