REL: Me ardhjen e Kallas pritet të hiqet posti i emisarit për dialogun Kosovë – Serbi
Radio Evropa e Lirë ka publikuar një shkrim të gjatë në lidhje me shefen e ardhshme të politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së, Kaja Kallas.
Sipas REL-it, shefja e ardhshme, që ishte dikur kryeministre e Estonisë, njihet si politikane me qëndrime të forta kundër Rusisë.
Në tekstin e REL-it paralajmërohet edhe një lëvizje e mundshme rreth postit aktual të Miroslav Lajçakut, atë të të dërguarit special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
REL-i thotë se posti i Lajçakut mund të hiqet plotësisht kur Kallas të bëhet kryediplomate e BE-së.
“Diplomatët po ashtu i kanë thënë REL-it se presin që ajo të jetë gati të merret me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi aktual i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, më 2020 i kërkoi ish-ministrit të Jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak, të shërbente si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogut. Por, ky proces ka prodhuar pak përparim real dhe duket se posti që aktualisht mban Lajçaku mund të hiqet plotësisht kur Kallas të bëhet kryediplomatja e re e bllokut”, ka shkruar REL.