Hoxhaj: Për katër vite qeverisje LVV-ja nuk ka siguruar asnjë njohje
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë Kurti duke thënë se për katër vite qeverisje nuk ka siguruar asnjë njohje apo anëtarësim.
“Çfarëdo që nuk arrihet gjatë tronditjes nga disfata, është gjithnjë e më e vështirë të arrihet më vonë! Disfata e politikës së jashtme të Kosovës është e matshme sepse për katër vite të një mandati të plotë nuk ka siguruar asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim të vetëm,” ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Hoxhaj ka shkruar se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, po bën vizita të shumta, dhe i ka vizituar ato shtete që e kanë njohur Kosovën, teksa shtron pyetjen se ku është Ministrja e Jashtme e Kosovës.
“Sot po e shoh ministrin e jashtëm serb në vizitë në Tonga, shtet që e ka njohur Kosovën gjatë mandatit tim, por, çka më brengos është që ai gjatë tërë verës e deri më sot, ka vizituar shumë shtete që e kanë njohur Kosovën nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine dhe fatkeqsisht, do shihen efektet e vizitës së tij! Opinioni publik nuk e di se ku është dhe çfarë bënë Ministrja e Jashtme e Kosovës?”