Minatori e cilëson presion vizitën e Sveçlës në Trepçë

Minatori e cilëson presion vizitën e Sveçlës në Trepçë

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Faton Ahmeti dje ka nënshkruar një vendim me të cilin ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë ndërmarrje publike.

Shkak i kësaj, sipas menaxhmentit është bojkoti i punës nga minatorët nga data 10.07.2024 deri më 15.08.2024.

Në vendim thuhet se menaxhmenti synon rikuperimin e gjendjes së krijuar përkatësisht rritjen e sasisë së koncentratit të humbur përgjatë grevës, me ç’rast pushimet e planifikuara gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor, pritet të anulohen.

Në lidhje me këtë, minatori Miftar Mehmeti ka thënë se ky nuk është një vendim i duhur pasi tregon raportet në mes të menaxhmentit dhe punëtorëve.

Në emisionin “Rreth e Rrotull”, Mehmeti ka thënë se ky vendim bie ndesh me ligjin.

“Nuk është një gjë e mirë nga ana e menaxhmentit në raport me punëtorët. Ka raste kur kur pushimin e kanë planifikuar për cështje familjare, e kanë lënë në një datë të caktuar.Me anë të këtij vendimi po bien ndesh me ligjin”, ka deklaruar Miftari.

Vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në këtë ndërmarrje, Mehmeti e ka cilësuar si një lloj “presioni”.

“Në atë ndërrim nuk kam qenë prezent, nuk e di sa është e arsyeshme një ministër i punëve të brendshme të marrë pjesë te punëtorët, është një lloj presioni. Kërkesat tona janë evidente që moti si përmirësimi i kushteve të punës. Kërkojmë nga qeveria aktuale dhe ajo që do vijë në vijim, që të investojnë në këtë ndërmarrje pasi punojmë në kushte të mjerueshme”, ka vijuar ai.

Shpërndaje në: