Vulinit nuk i lejohet të fluturojë mbi Bosnje dhe Hercegovinë

Vulinit nuk i lejohet të fluturojë mbi Bosnje dhe Hercegovinë

Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i dhanë leje zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për të fluturuar me helikopter në Pale, afër Sarajevës, njoftoi Qeveria e Serbisë.

Vulin duhej të merrte pjesë në një festë të kësaj komune, të njohur si Vellika Gospojina, dhe të vendoste lule në Sheshin e Republikës Sërpska për luftëtarët serbë që humbën jetën në luftën e viteve 1990.

“Edhe pse kabineti i zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Serbisë i kanë dorëzuar në mënyrë të rregullt dhe me kohë të gjitha informatat e nevojshme dhe dokumentet mbështetëse, e madje kanë deklaruar qëllimin e vizitës, autoritetet në Federatë, me heshtjen dhe mospërgjigjjen e tyre, nuk e kanë dhënë pëlqimin për fluturim”, thuhet në komunikatën që transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Në njoftim thuhet, gjithashtu, se Ambasada e Serbisë i ka respektuar të gjitha procedurat e kërkuara, por, pavarësisht kësaj, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i janë përgjigjur kërkesës.

Deri në publikimin e këtij lajmi, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u deklaruan në lidhje me këtë rast.

Vulin, megjithatë, arriti në ceremoninë në Pale, por me veturë zyrtare, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Vulinit nuk iu dha leje për të fluturuar në Bosnje dhe Hercegovinë as më 5 gusht, kur ishte dashur të merrte pjesë në hapjen e një ekspozite kushtuar vuajtjeve të serbëve në Luftën e Dytë Botërore në Prebillovci – një fshat në jug të Bosnjës.

Siç shpjegoi në atë kohë ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, Vulinit nuk i është dhënë leja për të arritur në Bosnje me helikopter, pasi kërkesa ka mbërritur shumë vonë dhe se ai nuk ka dashur t’i shkelte procedurat, meqë është person, i cili “e minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës çdo ditë”.

Pas kësaj ngjarjeje, Serbia i dërgoi një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, duke vlerësuar se një vendim i tillë “nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Vulin arriti në manifestimin në Prebillovci të nesërmen.

Retorika e Beogradit zyrtar dhe Sarajevës është ashpërsuar muajt e fundit.

Një nga arsyet ishte lobomi i autoriteteve në Beograd kundër miratimit të një rezolute të Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë.

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën që e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë./rel

Shpërndaje në: