Haradinaj: Paga minimale, poshtëruese – Qeveria po mashtron në prag të zgjedhjeve

Haradinaj: Paga minimale, poshtëruese – Qeveria po mashtron në prag të zgjedhjeve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “poshtërim” pagën minimale prej 350 eurove që të mërkurën u vendos nga Qeveria.

Ai ka shkruar në Facebook se Qeveria Kurti këtë vendim e ka marrë “në kuadër të një fushate për zgjedhje”, duke shtuar se ajo gjithmonë në prag të zgjedhjeve del me mashtrime.

Sipas deputetit të partisë opozitare, paga minimale duhet të jetë 450 euro, e me qeverinë e re thotë se duhet të jetë të paktën 500 euro.

“Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, e që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro, natyrisht duke shënuar rritje të përvitshme, në bazë të rritjes ekonomike e inflacionit dhe në këtë pagë minimale duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve. Vendet e rajonit, qysh moti e kanë kaluar pragun e pagës minimale prej 500 eurosh, ndërsa ky kryeministër, jo vetëm që është vonuar me rritje pagash për katër vjet, por edhe sot pagën minimale e konsideron ndihmë sociale”, ka thënë Haradinaj.

 

Qeveria e Kosovës mori vendim gjatë një mbledhjeje të mërkurën ta rrisë pagën minimale në vend në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave.

Kjo rritje vjen vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat.

Shpërndaje në: