Kurti flet pak për takimin me shefin e CIA-s, e asnjë fjalë për hapjen e Urës së Ibrit

Kurti flet pak për takimin me shefin e CIA-s, e asnjë fjalë për hapjen e Urës së Ibrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për takimin që kishte me shefin Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, gjatë javës së kaluar.

Kurti është shprehur se takimi ishte shumë i mirë, dhe se kjo është një dëshmi tjetër e përkujdesit dhe përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj sigurisë në Kosovë.

“Takimi ka shkuar shumë mirë dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me ShBA-të dhe këtë institucion të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë përmes Agjencisë tonë të Inteligjencës.

Unë e falënderoj shefin e CIA-s që vizitoi vendin tonë, dhe kjo është dëshmi tjetër e përkujdesit dhe përkushtimit të SHBA-ve për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me ShBA-të dhe të paqes dhe stabilitetit dhe sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kurti.

Ai po ashtu u pyet edhe për hapjen e Urës së Ibrit.

Ai iu shmang kësaj pyetje, i cili duke ikur ngatërroi edhe daljen nga Klinika Emergjente në QKUK, ku u përuruan renovimet.

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, qëndroi për vizitë dyditore në Kosovë.  Ai zhvilloi takime me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare.

Mëngjesin e 23 gushtit, për rreth një orë ai mbajti takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës e vlerësoi vizitën e shefit të CIA-s në Prishtinë si “moment të rëndësishëm historik” në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Shpërndaje në: