Pemë të thyera e dëmtime të makinave, pamje pas stuhisë së fortë në disa qytete në Shqipëri
Pas disa ditësh me temperatura shumë të larta, Shqipëria u përfshi nga stuhi breshëri që në zona të caktuara shkaktuan edhe dëme në rrugë dhe në bujqësi.
Në Tiranë për shkak të erës së fortë dhe stuhisë së shoqëruar me breshër të fortë, u krijua trafik në disa rrugë dhe nuk munguan edhe degë pemësh të thyera. Po ashtu në disa prej qyteteve kryesore, si Durrës, Elbasan dhe Korçë pati reshje të dendura pasditen e së hënës, duke shkaktuar edhe probleme me përmbytjet, siç ishte dhe rasti në Bulqizë.
Në Elbasan rrebeshet e breshërit, thyen disa pemë në qytet duke dëmtuar disa makina.
Për shkak të erës së fortë dhe reshjeve të shumta të shiut, pati probleme në Maliq, pasi në rrugën kryesore u rrëzuan disa plepa, të cilët kanë bllokuar qarkullimin dhe u desh shërbimi zjarrfikës për normalizimin e lëvizjes duke zhvendosur pemët.
Në Himarë u ndërpre energjia elektrike për shkak të motit të keq dhe ujërave të rrëmbyera që vërshuan në rrugë. Gjatë kësaj jave moti parashikohet të jetë i paqëndrueshëm dhe shtrëngatat mund të rikthehen edhe gjatë ditës së enjte dhe të premte.