Rexhepi tregon se si UDB-ashët shqiptarë dhunshëm i hynë në shtëpi
Mehmetali Rexhepi, ish i burgosur politik në kohën e ish regjimit jugosllav, i ka ndarë disa nga përvojat e tij në ballafaqim me UDB-jen e asaj kohe.
Ai në “Debat Plus” rrëfeu për një ngjarje ku pjesëtarë të UDB-së dhe policë e kishin rrethuar shtëpinë e tij e më pas edhe bastisur.
Rexhepi tregoi se me të hyrë në shtëpinë e tij, ata filluar e përmbysën gjithçka, madje pjesëtari i UDB-së Sinan Rexhepi kishte urdhëruar të hiqej edhe dyshemeja.
“Arratisja e 1982, 83. E kishin rrethuar edhe lagjen time, kam qenë i martuar. Ishte një hyrje e vrazhdë në dhomën time ku jetonim me gruan time, e kishim një vajzë atëherë e sapolindur. Rrotulluan gjithçka, me orendi e gjithçka. E di qe që ka qenë Sinan Rexhepi Zhegra, një nga ta, ishte UDB-ash inspektor me një apo dy të tjerë, më duket se ka qenë edhe një serb, Dushko, i Zhegrës. Kanë qenë numër të konsiderueshëm i policëve… kanë bastis gjithë shtëpinë. Sinan Rexhepi tentonte ta hiqte edhe dyshemenë, dyshemeja ishte me dërrasa. Kishte bë përpjekje me i heq dërrasat. Gruaja i tha cfarë po do dërrasat, ai tha popo dërrasat… Na e derdhën miellin, fasulet, ishin të vrazhdë”, tha ai.
Rexhepi tregon edhe një polemikë të vogël mes babait të tij dhe UDB-ashëve.
“Një polemikë babai i ndjeri muharremi e kishte bërë. U tha cfarë ju kanë bërë këto sende? Ata thanë ju keni fsheh gjëra sekrete që janë kundër shtetit. U përqendruan te një kornizë me figurat e rilindjes kombëtare, Gjergj Kastrioti ishte aty…”, tha ai.