Rohde: Pavarësisht se Ukraina s’e ka njohur ende, qytetarët e Kosovës e kanë ndier dhimbjen e tyre
Ambasadorët e QUINT-it dhe Zyra e BE-së në Kosovë, kanë organizuar të hënën një pritje për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me kryeministrin Albin Kurti , Irina Synelnyk dhe ambasadorët tjerë të vendeve të QUINT-iti morën pjesë në një pritje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me rastin e Ditës Kombëtare të Ukrainës.
Gjatë fjalimit të tij, Rohde, i cili mbante një shall me ngjyrat e Ukrainës, shprehu mbështetjen e fortë të Kosovës për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus.
Ai theksoi se është krenar që Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka ofruar mbështetje të pandërprerë për Ukrainën, krahas vendeve të Bashkimit Evropian, pavarësisht faktit që Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet.
“Qytetarët e Kosovës kanë ndjerë dhembjen e popullit ukrainas që nga fillimi i luftës. Prishtina ka mbështetur Kievin në shumë forma, duke përfshirë mbështetjen emocionale, ushtarake, dhe duke ofruar një strehë të sigurt për gazetarët ukrainas që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës,” tha Rohde.
Ambasadori gjerman vuri në dukje se mbështetja e Kosovës për Ukrainën është shtrirë në shumë nivele, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë politik, duke përmendur veçanërisht strehimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë.