Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për nivelin e arsimit në vend.
Ai ka thënë se pushteti ka tendenca që të flas për tema të mëdha që t’i fshehur dështimet në qeveri, e një ndër dështimet ai e ka parë arsimin.
“Po afrohet fillimi i vitit të ri shkollor, sot një javë është dita e parë e vitit shkollor, por përgatitjet për këtë ngjarje jetike duket se janë lënë totalisht pas dore. Kjo situatë është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme nga një qeveri, që e di mirë datën e nisjes së vitit shkollor, por nuk ka arritur ti bëjë as përgatitjet minimale, nuk arrin të informojë qytetarët dhe t’i orientojë prindërit dhe fëmijët, që për herë të parë nisin rrugëtimin e tyre arsimor. Prindërit janë të pasigurt dhe të paqartë rreth përgatitjeve shkollore, si dhe rreth shpërndarjes së teksteve dhe parave të tyre. Një qeveri që nuk e merr seriozisht një proces kaq të rëndësishëm ka dështuar në përgjegjësitë e saj thelbësore”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se për katër vite nuk ka pasur investime në hulumtime shkencore në Universitetin e Prishtinës.
“Infrastruktura është lënë pas dore, ndërsa çerdhet dhe investimet infrastrukturore janë shndërruar në premtime të zbrazëta për votuesit. Dështimi i qeverisë në menaxhimin e arsimit nuk është më i fshehur. Është konkret, i dukshëm dhe i ndjerë nga çdo familje në vend. Arsimi është baza e zhvillimit të një kombi, dhe kur kjo bazë është e dobët, e ardhmja e një vendi është në rrezik. Dëshpërimi është aq i madh dhe dështimi konkret. Kjo, për shkak të premtimeve të kota. Kjo situatë duhet të ndryshojë menjëherë. Qytetarët do ta ndalin këtë dështim më 9 shkurt!”, ka shkruar Tahiri ndër të tjera.