Në Jarinjë arrestohet serbi Dushan Neshiq
Dushan Neshiq, me kombësi serbe, u arrestua në Jarinjë – vendkalim kufitar mes Kosovës dhe Serbisë – konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai tha se arrestimi është bërë në bazë të një urdhri gjyqësor për një rast të vitit 2022, që ka të bëjë me “kërcënime”.
“Personi është ndaluar të hënën rreth orës pesë të mëngjesit, teksa po hynte në Kosovë nga Serbia. I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe gjendet në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut”, tha Elshani.
Ai nuk dha më shumë detaje rreth rastit, e as për kërcënimet që mund të jenë në pyetje.