Skender Zhitia fillon dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të flas për librin e tij
Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në seancën e së hënës ka filluar dëshminë dëshmitari i 80-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Skender Zhitia, i cili mban kodin W4651.
Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Silvia D’Ascoli, e cila në përmbledhjen e lexuar për Zhitinë tha se ishte anëtar i UÇK-së si dhe është autori i një libri për UÇK-në, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Skender Zhitia është ish-anëtar i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit. Ai u kyç në UÇK në maj 1998. Roli i tij fillestar ishte të mobilizonte civilët dhe ai dha kontribut në krijimin e njësitit “Kështjella 33”. Atje ai ishte komandant dhe që ishte në Brigadën e UÇK-së 151 “Zahir Pajaziti”. Skender Zhitia vazhdoi të qëndronte në UÇK dhe kreu detyra të ndryshme dhe më pas u bë pjesë i TMK-së”, tha D’Ascoli.
Prokurorja tha se Zhitia do të flas për metodologjinë, intervistat dhe burimet e përdorura në librin e tij.
“Skender Zhitia është një këshilltar i lartë në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe është autor i librit ‘UÇK-ja: Zona Operative e Llapit’ që është një libër historie nga pikëpamja ushtarake për UÇK-në në atë zonë që është botuar më 2008-ën. Si pjesë e dëshmisë ai shpjegon metodologjinë, burimet e përdorur për të përgatitur këtë libër ku përfshihen intervista, literaturë, ditarë me komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së në zonën operative të Llapit”, tha D’Ascoli.
Prokurorja e njoftoi dëshmitarin se nuk do ta marrë në pyetje për gjërat që tashmë i kishte konfirmuar, pasi deklaratat e tij janë pranuar në prova materiale, por që tashmë do të fokusohet në disa pyetje shtesë.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, dëshmitari tregoi se ishte komandant në njësitin K33 në Llugë të Podujevës.
“Po, në përvojën time dhe në detyrat që i kam pasur”, tha dëshmitari, kur u pyet se përshkrimi për K33-shin në libër, a bazohej në përvojat e tij gjatë luftës.
Ndërsa, për njësitë tjera, dëshmitari tha se i ka bazuar nga intervistat dhe bashkëbisedimet që i ka pasur me luftëtarë.
Sipas kryetari të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysmë, e që dy orë janë paraparë për pyetjet e Prokurorisë dhe rreth pesë orë për kundërpyetjet e mbrojtjes.
Ndërsa, në prova materiale u pranuan të gjitha deklaratat së bashku me materialet përcjellëse në shqip dhe anglisht që dëshmitari i kishte dhënë më herët për ZPS-në.