Bajrami: Murati s’ka përgjigje për Bonot e Diasporës, mashtrimet e Qeverisë po dalin në sipërfaqe
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër ministrin e Financave, Hekuran Murati, për shkak të një postimi në Facebook që lidhet me bonot e diasporës.
Bajrami ka akuzuar Muratin për përhapjen e mashtrimeve dhe për mungesë transparence, duke theksuar se nuk janë përmendur shifra konkrete në lidhje me bonot.
“Nuk kalojnë mashtrimet me bono. Prandaj s’keni përgjigje. Në mungesë të përgjigjes, ministri i dështimeve po tregon mediave si të publikojnë reagimet e opozitës që zbërthejnë mashtrimet e partisë në pushtet,” shkroi Bajrami në një postim në Facebook.
Bajrami e ka ftuar ministrin Murati të shpjegojë “qysh po mashtroni me bono” dhe të japë llogari për premtimet e pambajtura. Ajo e ka kritikuar atë për premtimet e bëra lidhur me ndërtimin e 160 çerdheve dhe përfundimin e rrugëve në Gjilan, Mitrovicë e Podujevë, të cilat, sipas saj, nuk janë realizuar.
Jepni përgjegjësi qysh keni mashtruar nga bashkimi kombëtar e deri te 160 çerdhet që kurrë nuk u ndërtuan. Qytetarët po kërkojnë përgjigje pse mashtruat se do t’i përfundoni rrugët për Gjilan, Mitrovicë e Podujevë”, tha Bajrami.
“Mashtrimeve tuaja po u vjen fundi dhe prandaj shkaktojnë dhimbje kur mashtrimet tuaja i tregoj qytetarëve,” përfundoi Bajrami.
Në përgjigje, Murati kishte shkruar më parë se investimi i diasporës në Bono Thesari të Kosovës ka kontribuar në zhvillimin e vendit.