Vizita dy ditore e Shefit të CIA-s në Kosovë – Çfarë u tha?

Vizita dy ditore e Shefit të CIA-s në Kosovë – Çfarë u tha?

Të enjten dhe të premten qëndroi për vizitë në vendin tonë shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Burns të enjten ka takuar presidenten e shtetit Vjosa Osmani dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti, gjersa të premten takoi kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me shefin e CIA-s, e para e shtetit ka shkruar për takimin me Burns.

Ajo në një postim të shkurtër në Facebook thekson se aleanca me Shtetet e Bashkuara është garanci për siguri, paqe e sukses.

“Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns. Aleanca me Shtetet e Bashkuara është garancë për siguri, paqe e sukses”, shkruan ajo.

E pas takimit të Kurtit me shefin e CIA-s, të premten komunikatë për media ka lëshuar edhe Qeveria e Kosovës, e më pas ka shkruar edhe vetë kryeministri Kurti.

Në një postim në Facebook, nga Qeveria e Kosovës thuhet se vizita historike e Drejtorit të CIA-s, William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns. Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Kurti thekson se marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duan t’i forcojmë e zgjerojnë edhe më tej.

“Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë.

Shpreha edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë”, shkruan ai.

Ish-diplomati shqiptar, Agim Nesho ka thënë se vizita e kreut të CIA-s në Kosovë, Bosnje e Serbi, është një tregues se ky rajon po merr një vëmendje të shtuar dhe se rajoni është në një moment kritik që është paralajmëruar më herët.

Nesho thotë se kreu i CIA-s është një njeri i shquar dhe që përfaqëson DASh-in dhe një njeri që e njeh shumë mirë Rusinë.

“Kjo tregon se ky rajon po merr një vëmendje të shtuar dhe se rajoni është në një moment kritik që është paralajmëruar më herët, pasi Rusia kërkon që të provokojë në Ballkan me vendet si Serbia, ku ka një infrastrukturës të gjerë”, tha ai për Ora News.

Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, ka reaguar ndaj vizitës së shefit të CIA-s, William Berns, në Kosovë.

Ai e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e cila në njoftimin për media rreth takimin të Kurtit me shefin e CIA-s ka përendur rritjen e ekonomike në Kosovë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Peci ka shkruar se Burns nuk ka ardhur në Prishtinë për të dëgjuar se sa vend demokratik është Kosova dhe çfarë rritje ekonomike ka.

Sipas tij, njoftimi i Qeverisë kishte tone të fushatës zgjedhore.

“Prandaj, mendoj se postimet në Facebook të ekzekutivit, me rastin e takimit të Kryeministri Kurti me Drejtorin Burns, nuk është dashur të kenë tone të një fushate parazgjedhore, të cilat nuk kanë asnjë efekt pozitiv, përpos që e ulin edhe më tepër kredibilitetin e Qeverisë së Kosovës në sytë e Ëashingtonit, pasi ato me siguri nuk e paraqesin substancën e takimit”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë me dije se deklaratat e tilla dëmtojnë edhe më shumë raportet në mes të dy vendeve.

“Kush e kupton diplomacinë, e din fare mirë që deklaratat e tilla kanë për konsekuencë erozionin e besimit, të cilin në masë të madhe ka kohë që e kemi humbur në sytë e SHBA-ve. Një postim korrekt pas këtij takimi do të mund të ishte hap i mirë për rindërtimin e këtij besimi të humbur. Ndërsa a janë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve “të forta dhe të qëndrueshme” do të besoj vetëm atëherë kur këtë ta thotë Ëashingtoni, dhe do të gëzohem shumë. Mirëpo, deri më tani nuk kemi dëgjuar diçka të tillë”, ka shkruar Peci.

 

Shpërndaje në: