Kur do t’i shohim efektet e vizitës së shefit të CIA-s? – Presidentja nuk njofton shumë për takimin, ndërsa Kurti pak më i gjatë

Kur do t’i shohim efektet e vizitës së shefit të CIA-s? – Presidentja nuk njofton shumë për takimin, ndërsa Kurti pak më i gjatë

Një vizitë që do të mbahet mend për një kohë të gjatë për nga rëndësia e saj, ishte kjo e Drejtorit të CIA-s, William Burns në Kosovë, shkruan Periskopi. 

Dje dhe sot, shefi i CIA-s ka pasur takime me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.

Kjo vije, pas tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Vizita e Burns shihet si një mesazh për një deeskalim të situatës mes dy vendeve të rajonit tonë, duke marrë parasysh faktin që bota po përballet me luftë.

Se çka iu tha shefi i CIA’s – krerëve të shtetit, nuk dihet. Megjithatë, nga ato që kanë njoftuar nga Presidentja dhe Kryeministri nuk tregohet shumë. Se kur do të shihen efektet e kësaj vizite, mbetet të shihet…

Osmani njoftoi me pak fjalë, ndërsa në anën tjetër Kurti ishte pak më i gjatë.

E para e vendit ka bërë me dije se ka qenë kënaqësi të takohet me ambasadorin Burns.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se aleanca me ShBA-të është garancë për siguri dhe paqe.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin Ëilliam Burns.”, ka shkruar Osmani, e cila zyrtarin amerikan e ka takuar dje.

 

“Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n. Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. Ëilliam Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Më tej, thuhet se Kurti e ka falënderuar zyrtarin e lart amerikan për vizitën dhe mbështetjen e ShBA-së për Kosovën.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”, është thënë në njoftim.

Ndër të tjera,  kryeministri e ka njoftur William Burnsin edhe për rritjen ekonomike që e ka përjetuar Kosova.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, është thënë në njoftim.

Reagimet nga opozita

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se politika e Kosovës ka ndryshuar për të keq dhe e gjithë kjo si pasojë e dogmave politike të kryeministrit Kurti e presidentes Osmani.

Sipas Hotit, Kosova kishte synime vetëm sa i përket zhvillimit ekonomik e integrimeve euro-atlantike, por që me udhëheqjen e Kurtit dhe Osmanit ka ndryshuar orientimi politik.

Hoti ka thënë se Kosova tashmë është kthyer në një çështje të sigurisë për aleatët e saj.

“Nga një vend me sfida për zhvillimin ekonomik dhe integrime euro-atlantike, Kosova kthehet në një çështje të sigurisë për aleatët Nga shpallja e pavarësisë, kemi punuar shumë qeveri pas qeverie për ta hequr Kosovën nga lista e vendeve me probleme të sigurisë. Në bashkëpunim të ngushtë me aleatët, janë marrë vendime të vështira dhe jopopullore, por që e përafronin Kosovën me perëndimin. Merrnim njohje të reja, anëtarësoheshim në mekanizma ndërkombëtarë, bëheshim pjesë e iniciativave rajonale e ndërkombëtare, duke e betonuar hap pas hapi të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

Stabiliteti politik, integrimi i brendshëm i komuniteteve, normalizimi i marrëdhënieve rajonale e veprime të tjera i siguronin Kosovës zhvillim ekonomik e progres në rrugën e integrimit euro-atlantik. Rrjedhimisht, arritëm që Kosovës ta hiqnim nga lista e vendeve me probleme të sigurisë dhe ta vendosim në listën e vendeve me sfida për zhvillim ekonomik e për anëtarësim në BE dhe NATO. Jam i bindur se kjo ka qenë politika më e mençur për integrimin euro-atlantik të Kosovës”, thuhet në postimin e Hotit në Facebook.

Sipas Hotit i gjithë ky ndryshim në aspektin politik ka ndodhur për shkak të dogmave politike të Kurtit dhe Osmanit.

Ai ka thënë se vizita e shefit të CIA-s në Kosovë nuk do të ishte e nevojshme në qeverisjet e kaluara.

“Për fat të keq të popullit të Kosovës, dogmat politike të Kurtit e Osmanit dhe konfrontimi i tyre me aleatët-garantuesit e sovranitetit të Kosovës për rendin e veprimeve në veri e kthyen Kosovën në çështje të sigurisë për NATO-n dhe BE-në, si dhe për aleatin kryesor të Kosovës, SHBA-në. Sigurisht se këtë situatë e përdori Serbia me tendencë për të krijuar një vatër të re krize në Evropë, siç dëshmohet me sulmin terrorist të 25 shtatorit 2023.
Rrjedhimisht, shefi i CIA-s detyrohet të zbarkojë në Prishtinë. Ai do të duhej të zbarkonte në Bosnjë dhe Serbi, por jo në Kosovë. Kosova do të duhej të kryente të gjitha koordinimet me SHBA-në siç ka vepruar gjithmonë, përmes Ambasadorit në Prishtinë, me Departamentin e Shtetit e me Shtëpinë e Bardhë. Në Kosovë do të duhej të zbarkonin kompani amerikane e evropiane për projekte zhvillimore të autostradave e hekurudhave, të gazit, të projekteve private në fusha nga më të ndryshmet, të gjitha këto të parapara në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit 2020 e në Marrëveshjen për Nxitje të Investimeve Kosovë-SHBA të 31 dhjetorit 2020”, thuhet në postimin e Hotit.

Në anën tjetër, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur takimin e shefit të CIA-s, William Burns, me presidenten dhe kryeministrin.

Ai ka bërë me dije se takimi i zyrtarit të lart amerikan me liderët institucionalë të Kosovës është lajm i mirë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën.

“Të nderuar qytetarë të Kosovës, Vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës z. Burns në Kosovë, është nder i madh për Kosovën dhe lajm i mirë për sigurinë tonë. Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme. Institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën. Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, i’a lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike.”, ka shkruar Haradinaj.

 

Profil| Kush është William Burns?

William Burns është një diplomat dhe zyrtar i shërbimit të jashtëm të Shteteve të Bashkuara, i cili aktualisht shërben si Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).

Burns ka një karrierë të gjatë dhe të dalluar në diplomacinë amerikane, duke shërbyer në pozita të ndryshme të rëndësishme, përfshirë Ambasadorin e SHBA-ve në Rusi dhe Zëvendës Sekretarin e Shtetit.

Ai është një nga diplomatët më me përvojë dhe me ndikim në politikën e jashtme amerikane, i njohur për aftësinë e tij për të negociuar dhe menaxhuar marrëdhënie komplekse ndërkombëtare. Burns u emërua Drejtor i CIA-s në mars 2021 nga Presidenti Joe Biden.

Ai është i njohur për qasjen e tij strategjike dhe përkushtimin e tij ndaj diplomacisë, duke kombinuar ekspertizën e tij në çështjet ndërkombëtare me inteligjencën për të adresuar sfidat globale.

Shpërndaje në: