Haradinaj: Takimet e shefit të CIA-s me liderët institucionalë, lajm i mirë për Kosovën
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur takimin e shefit të CIA-s, William Burns, me presidenten dhe kryeministrin.
Ai ka bërë me dije se takimi i zyrtarit të lart amerikan me liderët institucionalë të Kosovës është lajm i mirë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën.
“Të nderuar qytetarë të Kosovës, Vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës z. Burns në Kosovë, është nder i madh për Kosovën dhe lajm i mirë për sigurinë tonë. Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme. Institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën. Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, i’a lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike.”, ka shkruar Haradinaj.