Azemi: Kjo skemë që në krye ka Nagip Krasniqin e Martin Berishajn është kriminale
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, në një konferencë për media foli lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Sipas Azemit, vetë instalimi i tij në krye të KEK-ut ka qenë problematik, pasi atë e sjelli partia në pushtet dhe mbrojti.
“Derisa kjo ishte e keqja e parë, fatkeqësia tjetër është se edhe pas arrestimit të Nagip Krasniqit, i madh e i vogël nga partia ne pushtet e nga qeveria, i dolën në mbrojtje atij duke u përpjekur ta shfajësonin. E mbronin dhe e mbrojnë ani pse e dinin se ky person dyshohej e akuzohej për negocimin e një tenderi sekret në vlerë prej 3.4 milionë eurove”, tha Azemi.
Ai foli edhe për ambasadorin e Kosovës në Kroaci Martin Berishajn.
“Kjo dyshe famëkeqe pra kanë qenë në krye të mafisë energjetike. Nagip Krasniqi duke u siguruar që të blihet energji elektrike madje në kundërshtim me ligjin e duke negociuar tenderë sekret me dosta të tij e të pushtetit, kurse kryemafiozi Martin Berishaj që shpërblehej me miliona euro nga GEN-i me seli në Beograd, duke ndërmjetësuar”, tha Azemi.
“Të dy, edhe Nagipi njëjtë si Martini, kanë qenë në krye të mafisë energjetike, që të dy u morën në mbrojtje nga shoku i tyre Albin Kurti”, përfundoi Azemi.
Anëtari i LDK-së tha se LDK do të vazhdojë “të nxjerrë çdo dëshmi derisa drejtësia të kryejë punën e saj pa u ndikuar nga sulmet e pushtetit dhe tha që pret që më 9 shkurt bashkë me mafinë energjetike të bie edhe pushteti populist e i dëmshëm për vendin”.