Seanca në gjykimin për vrasjen në Mitrovicë u ndërpre dje, familjarët e palës së dëmtuar e quajnë avokatin ‘kriminel’ dhe ‘qen’
Mahmut Halmi, avokat i të akuzuarit për vrasje të rëndë, Shefki Asllani, është përballur me akuza nga familjarët e të ndjerit V.F se është kriminel, pis, idiot e i poshtër.
Krejt kjo ka ndodhur në Gjykatën Themelore në Prizren pasi Halimi ka kundërshtuar propozimet e palës mbrojtëse që të ftohen të gjithë anëtarët e Komisionit që kanë hartuar ekspertizën psikiatrike.
Halimi ka thënë se gjithmonë në praktikën gjyqësore është ftuar vetëm kryetari i komisionit dhe jo gjithë anëtarët.
Avokati ka kërkuar që të deklarohen veç e veç prokurori dhe përfaqësuesit e palës së dëmtuar se çka është në pyetje dhe a bëhet fjalë për mosbesim ndaj organit që ka hartuar ekspertizën.
Pas këtyre fjalëve, familjarët e palës së dëmtuar i janë drejtuar avokatit Halimi me fjalët se “ti je qen”, “ti kriminel”, ”i poshtri botes”, ”ta qoftë Zoti në djalë tanin e në familje tane”.
Me këtë rast, avokati Halimi ka thënë se nuk pranon të prezantojë në seancë përderisa nuk niset procedura ndaj gjithë atyre që përpos ofendimit edhe e kanë kërcënuar në seancë.
Ai ka kërkuar nga Policia dhe Prokuroria t’i marrin video-incizimet e seancës dhe të nisin menjëherë procedurën penale ndaj gjithë atyre që kanë bërë kërcënime.
“Veprat të cilat ndodhin brenda shqyrtimit gjyqësor ju duhet me inicu procedurën në Prokurori është detyrë e juaja”, ka thënë avokati Halimi.
Në anën tjetër, gjykatësja Raima Elezi ka thënë se procedurën duhet ta inicojë Prokuroria.
“Nuk e kam unë në kompetencë dhe se nuk është hera e parë që kanë ndodh të tilla raste dhe se procedurën duhet ta inicoj prokurori” gjykatësja Raima Elezi.
Me këtë rast, gjykatësja Elezi e ka ndërpre mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor me arsyetimin se është prishur rendi brenda seancës.
Në këtë shqyrtim ishte e paraparë që të dëgjohej komisioni i ekspertëve të Forenzikës Psikiatrike, psikiatri dr.Arsim Gashi, psikiatrja Blinera Hoxha-Gjuraj dhe psikologia Blerta Veselaj por që eksperti Gashi kishte njoftuar paraprakisht gjykatësen Raima Elezi që për arsye se ndodhej jashtë vendit ishte e pamundur që të ishte prezentë gjatë seancës.
Ndërkohë avokati i palës dëmtuar Abit Asllani nuk u pajtua që kjo seancë të vazhdohej me arsyetimin se mungonte eksperti-psikiatri Gashi dhe që shumicën e pyetjeve i kishin të parapara që t’i paraqiteshin atij dhe që ata kishin kërkuar nga gjykata që të gjithë nataret e komisionit të ishin prezent, e që ky propozim nga avokatët ishte aprovuar nga ana e Gjykatës.
Tutje gjatë seancës gjyqtarja Ramia Elezi tha se për mungesën e ekspertit Gashi,e kishte njoftuar paraprakisht prokurorin Genc Nixha dhe se e kishte pyetur se a mundë të zhvillohej seanca edhe në mungesë të ekspertit Gashi.
Në ndërkohë prokurori Nixha kishte qenë i pajtimit që kjo seanca të mbahej edhe në mungesë të ekspertit Gashi, por që i njëjti gjatë seancës tha se nuk kishte qenë në dijeni që kishin rënë dakord që të merreshin në pyetje të tre ekspertët, dhe se eksperti Gashi ishte paraparë që të merrej në pyetje në radhë të parë.
Gjithashtu edhe avokati i palës së dëmtuar Shpëtim Mehmeti iu drejtua gjykatëses Elezi se ishte obligim i saji që ta njoftonte edhe palën e dëmtuar për mungesën e ekspertit Gashi për arsye se ata nuk do ishin paraqitur sot në seancë.
Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren. Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo gjykatë ka pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi të markës “XDM” dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.
Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu.