NATO tregon për porositë e qarta që i solli zyrtari i tyre në Kosovë e Serbi, përfshirë edhe atë për Urën e Ibrit
Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë, Boris Ruge, ka rikapituluar vizitën në vendet ballkanike.
Ai ka qëndruar edhe në Kosovë ku ka takuar edhe Presidenten Vjosa Osmani. Në njoftimin e publikuar NATO, si zakonisht, nuk e përmend postin e shefes së shtetit të Kosovës, por i referohet vetëm “Zonja Vjosa Osmani” për shkak të qëndrimit neutral të Aleancës Veriatlantike ndaj statusit të Kosovës si pasojë e vendeve mosnjohëse.
Duke ripërmendur takimin me Presidenten, për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, NATO citon Ruge duke thënë se “vendimet duhet të merren përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”.
Tutje, përmendet “mbështetja e plotë e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për zgjidhjen e çështjeve politike të pazgjidhura”.
Ndërsa, nga takimi me presidentin serb Vuçiq, ambasadori Ruge ka deklaruar se shpreson “që Serbia të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme të kryera në Kosovë në maj dhe shtator 2023 dhe të luajë një rol pozitiv, bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, me të gjitha shtetet në rajon”.
Njoftimi i plotë:
Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë, ambasadori Boris Ruge, mbajti konsultime të nivelit të lartë në Sarajevë, Prishtinë dhe Beograd nga 16 deri më 22 gusht 2024. Ambasadori Ruge theksoi se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe përsëriti angazhimin e palëkundur të aleatëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme. Ai vuri në dukje bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe afatgjatë midis NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për të konsoliduar stabilitetin rajonal.
Gjatë takimeve në presidencë dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë Ministrin e Punëve të Jashtme Elmedin Konakovic dhe Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën Christian Schmidt, Ruge pohoi se: “NATO ka qenë e angazhuar në Bosnje dhe Hercegovinë për 3 dekada; ne mbetemi fuqishëm të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe nuk do të lejojmë të shfaqet asnjë lloj vakumi sigurie.”
Në Prishtinë, Ruge u takua me znj. Vjosa Osmani dhe zyrtarë të lartë të BE-së, OSBE-së, grupit QUINT (të përfaqësuar nga Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) dhe misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Në lidhje me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi qëndrimin e NATO-s se “vendimet duhet të merren përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”. Ai gjithashtu theksoi mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për zgjidhjen e çështjeve politike të pazgjidhura.
Në Beograd, Ruge u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ministrin e jashtëm Marko Gjuriq dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. “Kemi pasur shkëmbime të mira për aspektet e ndryshme të partneritetit NATO-Serbi, të cilin shpresojmë ta thellojmë, dhe për përpjekjet e Aleancës në të gjithë rajonin,” tha ai. “Shpresojmë që Serbia të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme të kryera në Kosovë në maj dhe shtator 2023 dhe të luajë një rol pozitiv, bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, me të gjitha shtetet në rajon”, tha ai.